fbpx

Nëse në javën e 20 mezi keni pritur që t’i ndjeni lëvizjet e të voglit tuaj, tani nuk do të mund t’i humbisni ato. Me rritjen e fetusit, ato bëhen gjithnjë dhe më të forta. Është shumë interesant edhe fakti se tashmë mund të ndjeni edhe kur beben e zë lemza. Me rritjen e fetusit edhe problemet me tretjen e ushqimit bëhen më intenzive, gjithashtu kapsllëku/hemoroidet, urthi, urinimi i shpeshtë, etj. A keni bërë një listë me gjërat të cilat do t’ju duhen për beben tuaj? Akoma nuk është vonë, por është mirë që ta bëni këtë gjë sa më herët, pasi akoma jeni në gjendje dhe keni energji për të shëtitur nëpër dyqane.

 

Foshnja juaj ka madhësinë e një kungulleshe

Gjatësia mesatare e bebes tani është rreth 38.5 cm, ndërsa pesha mesatare është rreth 1.150 gram.

Foshnja në javën e 29

Hapësira e mitrës bëhet gjithnjë dhe më e ngushtë për beben, prandaj lëvizjet dhe goditjet e tij ndonjëherë janë dhe të dhimbshme. A e keni vënë re se fëmijën e zë lemza në bark?

Rezervat e yndyrës grumbullohen nën lëkurë.

Kockat e fëmijës janë krejtësisht të zhvilluara.

Fëmijët e lindur para kohe në këtë javë, kanë një mundësi të madhe për të mbijetuar.

Simptomat të cilat zakonisht janë të pranishme në këtë javë

Ënjtje – Është e mundshme ënjtja apo fryerja e këmbëve, në pjeën e poshtme të kyçeve të këmbëve si dhe në pjesën e poshtme të gjurit.  Ënjtjet ushtrojnë presion mbi nervat dhe mund të çojnë deri në mpirje apo në ndjesinë e pickimit të këmbëve. Këto ënjtje zakonisht shfaqen për shkak të mbajtjes së lëngjeve si dhe për shkak të kthimit të rënduar të gjakut nga enët e gjakut. Ato zakonisht reduktohen pas fjetjes ose pas pushimit. Për të reduktuar ënjtjet, relaksoni këmbët duke i mbajtur në pozicion të ngritur, nëse keni mundësi notoni, pushoni më tepër kohë dhe shmangni qëndrimet e gjata në këmbë. Nëse ënjtjet nuk reduktohen pas pushimit apo pas fjetjes, kontaktoni gjinekologun tuaj.

Dhimbje koke. Pagjumësia, hormonet apo niveli i ulët i sheqerit, mund të jenë arsyet për shkaktimin e dhimbjes së kokës. Ushqehuni rregullisht.

Zmadhim dhe ndjeshmëri të gjinjve. Me tërheqjen e lëkurës gjinjtë tuaj bëhen më të ndjeshëm.

Dhimbje/ ngërç në pjesën e këmbëve, të shpinës dhe pelvisit.

Kapsllëk dhe hemoroide. Konsumoni ushqim të pasur me fibra bimore.

Probleme me fjetjen. Problem i vazhdueshëm.

Urinim i shpeshtë. Mitra e zmadhuar shkakton presion në fshikëzën e urinës.

Vena të zgjeruara. Pas lindjes ato kthehen në gjendjen e mëparshme.

Këshillojmë

Ushqehuni shëndetshëm. zvogëloni marrjen e sasisë së kripës e cila mund ta përkeqësojë gjendjen e ënjtjes.