fbpx

Tremujori i dytë

Keni hyrë në tremujorin e dytë, tani mund të relaksoheni pasi rreziku për abort spontan ka kaluar. Barku juaj rritet nga dita në ditë. Rreth muajit të katërt do të filloni ti ndjeni lëvizjet e bebes tuaj. Ashtu siç foshnja juaj rritet, edhe lëvizjet bëhen më të forta dhe më të ndjeshme.

Para dy muajsh foshnja juaj nuk ishte gjë tjetër veçse një grup qelizash, ndërkohë që tani ka organe funksionale, nerva dhe muskuj. Kalendari i ngjarjeve dhe zhvillimeve tuaja dhe të bebes zhvillohet si mëposhtë:

Java e 13-17, mund të shikohet gjinia e bebes

Fëmija fillon të formojë urinë, dhe e lëshon atë në lëngun amniotik. Tashmë në javën e 14 gjinia e foshnjës bëhet e dukshme. Qafa është e zhvilluar mirë dhe koka tashmë nuk shtrihet në pjesën e gjoksit të foshnjës. Gjatësia është rreth 8 cm, pesha rreth 25 gram.  Pas dy javësh foshnja fillon të bëjë grimasa në fytyrë dhe e lëviz gojën sikur është duke pirë gji.  Në javën e 17, fillon të zhvillohet nën lëkurën e foshnjës indi dhjamor. Kjo do të sigurojë energji dhe do të ndihmojë që foshnja ta ruaj ngrohtësinë pas lindjes. Tani foshnja juaj është 100 gram, ndërsa ju keni shtua mesatarisht 3,2 kg që nga fillimi i shtatzënisë. me rritjen e qarkullimit të gjakut në lëkurën tuaj, disa pjesë të caktuara të lëkurës tuaj mund të bëhen më të errëta, siç është lëkura rreth thithës së gjirit, pjesë të fytyrës, dhe linja vertikale e barkut duke filluar nga kërthiza deri në kockën e legenit. Me ekspozimin ndaj diellit, këto shenja do të vihen më tepër në dukje. Pas shtatzënisë ato do të zhduken.

Java e 18, fetusi fillon të dëgjojë tinguj

Në këtë periudhë, fetusi do të fillojë të mësohet me rrahjet e zemrës së nënës dhe me zhurmën që lëshojnë zorrët gjatë punës së tyre. Prandaj, pas lindjes do të vëreni se si i porsalinduri juaj do të qetësohet në momentin kur do ta vendosni pranë zemrës tuaj. Me rritjen e mitrës rritet edhe barku juaj , më qëllim për ti mundësuar më shumë hapësirë foshnjës tuaj. Duke filluar nga tremujori i dytë, ju do ta rrisni peshën tuaj trupore nga 1,4 deri në 1,8 kg në muaj. Janë të mundshme vështirësitë gjatë fjetjes për shkak të rritjes së barkut tuaj. Do të jetë më lehtë për ju nëse mësoni të flini anash.

Mund të vëreni rrjedhje vaginale të bardhë. Kjo rrjedhje, konsiderohet se ndihmon në mposhtjen e zhvillimit të baktereve potencialisht të rrezikshme. Vagina ka pH acid i cili varion nga 3,5 deri në 6. Mjedisi acidik i vaginës, është në fakt një mbrojtje natyrore ndaj mikroorganizmave. Nëse keni rrjedhje me aromë të pakëndshme,  me ngjyrë jeshile të verdhë apo të shoqëruar me ngjyrë të kuqe, kruarje dhe irritim, këto janë shenja të infeksionit vaginal , e cila është një ndër shkaqet kryesore të shpërthimit të parakohshëm të ujrave dhe të lindjes së parakohshme. Rekomandohet kryerja e brisit mikrobiologjik. Konsultohuni me mjekun tuaj.

Java e 19, ndryshime me frymëmarrjen dhe mishrat e dhëmbëve

Në këtë javë formohet mbështjella apo këmisha rreth bebes e cila quhet caseosa vernix, e cila mbron lëkurën e bebes nga dëmtimet. Tek foshnjat e gjinisë femërore, formohet mitra dhe vagina. Me rritjen e qarkullimit, kalon më tepër gjak nëpër membranat tuaja mukoze. Kjo çon që shtresa e lëmuar e hundës dhe e rrugëve të frymëmarrjes të ënjtet, duke zvogëluar rrjedhën e ajrit dhe dhe duke shkaktuar në këtë mënyrë gërritje, vështirësi në frymëmarrje, dhe ndjesinë e bllokimit të hundës. Për të njejtat arsye shfaqet edhe gjakderdhja e mishrave tuaj të dhëmbëve, gjatë përdorimit të furçës kur jeni duke larë dhëmbët. Ju rekomandojmë që të përdorni furçë dhëmbësh më të butë gjatë periudhës së shtatzënisë.

Java e 20, gjysma e shtatzënisë ka kaluar

Gjysma e shtatzënisë. zakonisht lëvizjet e foshnjës ndihen në këtë javë. Pesha 300 gr. gjatësia 20-25 cm. Gjatë kësaj jave në barkun tuaj, gjoksin, pjesën e sipërme të krahëve si dhe në pjesën e kofshëve, do të vëreni linja ngjyrë rozë, të kuqe apo të purpurta. Në këto pjesë të trupit, lëkura mund të jetë më e ndjeshme dhe mund të ndjeni kruarje. Kremat hidratantë mund t’ju vijnë në ndihmë.

Java e 21-23, qelizat e trurit të fetusit zhvillohen me shpejtësi

Lanugo – qime të vogla dhe të imëta në të gjithë lëkurën e foshnjës. Dëgjimi tashmë është aq i zhvilluar saqë foshnja tashmë dëgjon edhe zëra apo tinguj nga jashtë. Nga java e 23 foshnja fillon të ketë lëvizje më të theksuara të syve. Gjuha e foshnjës së shpejti do të zhvillojë shqisat e shijes. Gjatë kësaj periudhe, tek bebet e gjinisë mashkullore zbresin testiset nga pjesa abdominale. Tek gjinia femërore formohet mitra dhe vezoret, me numrin e plotë të qelizave vezore për të gjithë jetën. Qelizat e trurit zhvillohen shumë shpejtë. Veçanërisht ato të cilat janë përgjegjëse për mendimin, mësimin dhe kujtesën. Kockat janë shumë më të forta, ndërsa lëkura bëhet më e trashë.

Enët tuaja të gjakut, zgjerohen si një përgjigje e hormoneve të shtatzënisë. Në të njejtën kohë, volumi i gjakut rritet me shpejtësi që në fillim të shtatzënisë. Deri në javën e 34 rritet me 45% më tepër se vëllimi që keni patur para shtatzënisë. Megjithatë, enët e gjakut janë tepër të zgjeruara, dhe rritja e volumit të gjakut nuk arrin ti përmbushë ato, duke shkaktuar kështu rënien e presionit tuaj të gjakut, prandaj shesh mund të ndjeni dobësi, marramendje apo takikardi. Nëse keni probleme të tilla, pini tepër lëngje, dhe ngrihuni ngadalë nga vendi ku qëndroni ulur apo shtrirë. Nëse ndiheni të dobët, është më mirë që të qëndroni shtrirë. Është e nevojshme kryerja e kontrollit laboratorik si dhe kontroll tek gjinekologu.

Java e 24, zemra e fetusit mund të dëgjohet edhe me kufje

Rriten flokët e foshnjës. Foshnja është rreth 30 cm dhe peshon rreth 630 gram. Fëmija ka një ritëm të përditshëm të zhvilluar të cilin mund ta ndjeni. Zemra e foshnjës mund të ndihet edhe me kufje. Foshnja ka orientim ndërsa lëviz nëpër barkun tuaj! Në këtë periudhë mund të shfaqen kontraktime. Kontraktimet Brakston Nicks të cilat i përkasin llojit të shtrëngimeve, të presionit apo peshës në pjesën e poshtme të barkut. Ato zakonisht janë të lehta, vijnë dhe zhduken në mënyrë të paparashikuar dhe nuk janë të rregullta. Nëse kontraktimet janë të shpeshta, dhe shfaqen në intervale të caktuara kohore, apo keni gjakderdhje, menjëherë konsultohuni me gjinekologun tuaj, pasi mund të bëhet fjalë për një lindje të parakohshme. 

Java e 25 dhe 26, ndryshimet hormonale çojnë në ngadalësimin e urinës

Foshnja juaj tashmë është në gjendje për t’ju përgjigjur tingujve të njohur siç është zëri juaj, me anë të disa lëvizjeve. Ndryshimet hormonale e ngadalësojnë urinimin, por një rol të rëndësishëm luan edhe rritja e mitrës. Ajo mund të ushtrojë presion mbi fshikëzën e urinës, ose tek fshikëzat të cilat e çojnë urinën deri tek fshikëza urinare dhe ta mbajë atë aty. Të dy faktorët çojnë në ngadalësimin e uinës dhe mbajtjen e saj dhe mundësinë për zhvillimin e  infeksioneve në fshikëzën e urinës dhe veshkave. Në javën e 26 tek foshnja juaj formohen thonjtë. Mushkëritë e foshnjës fillojnë të prodhojnë surfaktant, lëndë e cila lejon alveolat e mushkërive të mbushen me ajër dhe parandalon kolapsin e tyre.  Në këtë javë foshnja ka një gjatësi rreth 35,6 cm dhe peshon 820 gram.

Java e 27, përfondon tremujori i dytë

Mushkëritë dhe sistemi nervor i foshnjës vazhdojnë të zhvillohen. Kapakët e syve janë aq të zhvilluara saqë foshnja mund ti hapë sytë dhe të shikojë në mitër, dhe të vërej dritë ndërmjet shtresave të barkut. Foshnja ushtron gëlltitje si dhe thith gishtin e madh të dorës. Disa nëna mund ta ndjejnë lemzën e foshnjës së tyre, si lëvizje ritmike në trupin e tyre. Tani nëse fëmija lind para kohe ka mundësi dhe shanse të mira për të mbijetuar.

Skrining me ultratingull në tremujorin e dytë – Duke filluar nga java e 19 deri në javën e 21 të shtatzënisë, rekomandohet kontroll me ultratingull, në të cilin gjinekologu përveç rritjes së fetusit, kontrollon në mënyrë të detajuar anatominë e fetusit dhe një nga një organet e tij, si zemrën, trurin, mushkëritë, stomakun, veshkat, mesin dhe fshikëzën e urinës. Kontrollohet placenta, lëngu amniotik, kërthiza, si dhe gjatësia e qafës së mitrës. Gjatë këtij kontrolli, mund të vërehen shenja të fetusit, të cilat dotë mund të tregonin rrezik të sindromit Down ose të ndonjë anomalie tjetër kromozomale. Nëse ekziston ndonjë ndryshim i caktuar për rritjen e rrezikut të fetusit përsa i përket sëmundjeve kromozomale gjatë kontrollit me ultratingull, ose jeni mbi moshën 35 vjeçare, ose keni patur më parë fëmijë me sëmundje kromozomale, ose ekzistencë familjare të kësaj sëmundje, gjinekologu juaj mund t’ju rekomandojë apo ofrojë kryerjen e amniocentezës.