fbpx

Prindërit zakonisht janë të brengosur për shkak të inflamacionit të shpeshtë të bajames së tretë te fëmijët e tyre. Shpesh ata janë në dilemë rreth trajtimit, nëse mjekohet me antibiotikë ose është më mirë të operohet. Fëmijët me bajamen e tretë të rritur nuk mund të marrin frymë me hundë, vazhdimisht janë me gojë të hapur, nuk flenë mirë dhe gërhasin derisa flenë. Zgjidhen të lodhur dhe të shpërqendruar dhe vazhdimisht kanë sekret në hundë të cilin nuk mund ta fryjnë jashtë. Me kalimin e kohës fitojnë pamje karakteristike të fytyrës – facies adenoidea. Te këto fëmijë paraqitet edhe inflamacion i veshëve.

Në të vërtetë, bajamja e tretë e rritur i bllokon hapjet faringeale të tubave eustahian, kanalet përmes të cilave veshi është i lidhur me fytin dhe janë mjaft të  rëndësishme për funksionimin e drejt të aparatit të dëgjimit. Kur këto kanale janë të bllokuara nga bajameja e tretë e rritur, krijohen kushte për zhvillimin e inflamacionit të veshit, derdhje e sekretit në veshin e mesëm dhe zvogëlimi i të dëgjuarit. Gjithashtu, bajamja e tretë e rritur mund të jetë edhe shkak për kollin kronik te fëmijët.

Bajamja e tretë, problemi më i shpeshtë për fëmijët e moshës parashkollore

Krahas inflamacionit të bajameve të qiellzës, të cilat manifestohen me dhimbje klasike në fyt dhe temperaturë të rritur trupore, te fëmijët janë të shpeshta edhe problemet të shkaktuara me rritjen e vegjetacionit adenoid – bajamja e tretë.

Bajamja e tretë është gjëndër limfatike teke, e vendosur në kalimin nga hunda në fyt dhe gjithashtu është pjesë e sistemit imunologjik me rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga infektimet. Pasiqë është i vendosur në një hapësirë relativisht të kufizuar anatomike, rritja e tij sjell deri te frymëmarrje e vështiruar me hundë. Me rritjen e fëmijës, bajamja e tretë zvogëlohet, ndërsa nazofaringu rritet, prandaj problemet e shkaktuara nga hipertrofia e bajames së tretë janë më të shprehura te fëmijët nga mosha parashkollore dhe mosha e hershme shkollore.

Diagnoza për inflamacion të bajames së tretë

Kjo gjendje vështirë mund të vërehet në fillim pasiqë nuk mund të diagnostifikohet me kontroll të zakonshëm te mjeku amë ose te pediatri. Prandaj gjatë çdo dyshimi për bajame të tretë të rritur duhet të dërgohet për kontrolle plotësuese te otorinolaringologu. Diagnoza moderne nënkupton kontroll me ndihmën e kamerës dhe instrumentit fleksibël endoskop-optik me diametër prej 2 mm, i cili në mënyrë të butë futet në hundën e fëmijës. Kontrolli zgjat vetëm disa sekonda, ndërsa mjekut i japin informatë të saktë vizuale për madhësinë, pamjen dhe pozitën e bajames së tretë dhe hapësirën ku ai është vendosur. Kontrolli është i padhembshëm, e fëmijëve të cilëve paraprakisht iu është sqaruar çfarë pritet nga ata, të njëjtin e pranojnë pa rezistencë dhe nuk qajnë. Nëse te fëmija dyshojmë se ka ardhur edhe deri te zvogëlimi i dëgjimit, bëhen ekzaminime audiometrike të dëgjimit, si dhe timpanometri – test me të cilin vërtetohet ekzistimi i derdhjes në veshin e mesëm.

Trajtimi kirurgjik

Heqja kirurgjike e bajames së tretë quhet adenoidektomi. Shkaku më i shpeshtë për heqjen e bajames së tretë është obstruksioni nazal, gjegjësisht frymëmarrja e vështirësuar me hundë. Fëmijët me bajame të tretë të rritur kanë edhe apne obstrktive gjatë natës dhe frymëmarrje të çrregulluar gjatë gjumit.  Zvogëlimii i dëgjimit dhe inflamacionet recidive të veshit të mesëm të përcjellë me disfunksion të tubit eustahian dh derdhje në veshin e mesëm, gjithashtu është indikacion për heqjen e bajames së tretë, zakonisht me aplikim të njëkohshëm të gypave të ventilimit në membranë.

Kur është më së miri të realizohet intervenimi?

Heqja kirurgjike e bajames së tretë është procedurë relativisht e thjeshtë kirurgjike, e cila realizohet me anestezion të përgjithshëm. Nëse ekzistojnë indikacione për të njëjtin dhe paraprakisht janë kaluar të gjitha procedurat diagnistike, intervenimi mund të realizohet në cilëndo periudhë të vitit. Nuk nevojitet ndonjë përgatitje e veçantë para operative e fëmijës, përveç ekzaminimeve rutinore laboratorike dhe kontrollit para operativ anesteziologjie.

Rezultatet e dukshme pas operacionit

Rikuperimi pas heqjes operative të bajames së tretë është i shkurtër. Fëmijët zakonisht lëshohen në shtëpi pas mbikëqyrjes mjekësore prej 24 orëve. Dhimbja, nëse është prezent është minimale, mund të zgjatë një deri dy ditë. Ushqimi pas këtij intervenimi është normal me shmangien e lëngjeve të ngrohta. Efekti nga operacioni vërehet menjëherë – prindërit vërejnë se fëmija e tyre nuk gërhet gjatë gjumit! 

Nëse me adenoidektomi, për shkak të ekzistimit të derdhjes në veshin e mesëm janë vendosur edhe gypat e ventilimit, që ditën e parë pas operacionit bëhen kontrolle audiometrike të dëgjimit. Zakonisht që në kontrollin e parë dëgjimi është në rregull.