fbpx

Pyetjet më të zakonshme

A janë normale dhimbjet gjatë periudhës së shtatzënisë?

Në shtatzëninë e hershme dhimbjet mund të paraqesin një shfaqje normale të ndryshimeve hormonale, në shtatzëninë e mëvonshme mund të shfaqen si pasojë e rritjes së mitrës.  Dhimbjet të cilat janë ndryshe nga shtatzënitë e tjera, të cilat rriten dhe shfaqen në interval të rregullta kohore, ose të shoqëruara me gjakderdhje vaginale , mund të jenë shenjë e shtatzënisë jashtë mitrës, mund të jenë një kërcënim për abort, ose kërcënim për një lindje të parakohëshme. Gjithësesi, është e nevojshme kryerja e kontrolleve të rregullta te gjinekologu, që të mund ti largoni dyshimet e mundshme në lidhje me sëmundje dhe rreziqe të caktuara të shtatzënisë.

 

Përse gratë shtatzëna  kanë dëshirë të rritur për gjumë dhe ndihen të lodhura?

Presioni i ulët i gjakut, që është diçka normale gjatë periudhës së shtatzënisë, niveli i ulët i sheqerit në gjak, ndryshimet hormonale sëbashku me aneminë e cila shfaqet gjatë shtatzënisë shkaktojnë pagjumësi dhe lodhje.

Kur ndihet zakonisht lëvizja e fetusit?

Në shtatzëninë e parë zakonisht lëvizja e fetusit ndihet në javën e 18, ndërsa në shtatzënitë e tjera  mund të ndihet rreth javës së 16. Zakonisht ndihet atëherë kur gruaja shtatzënë qëndron shtrirë , dhe zakonisht ndihet në pjesën e kërthizës. Me rritjen e fetusit këto lëvizje bëhen më të forta dhe më të lehta pët tu ndjerë.

Cilat lloje të ndryshimeve të gjinjëve janë normale gjatë shtatzënisë?

Pjesë të dala të cilat zmadhohen rreth areolës, normalisht shfaqen në gjysmën e shtatzënisë. Galaktorea (sekrecion i qumështit në pjesën e thithës së gjirit) zakonisht nuk shfaqet deri në momentin e lindjes, por mund të ndodhë që të shfaqet duke filluar edhe në muajin e pestë të shtatzënisë.

Cilat ndryshime të flokëve janë më të zakonshme gjatë shtatzënisë?

Tek një numër i madh i grave shtatzëna shfaqet rritje e rënies së flokëve, si dhe rritje të qimeve në disa pjesë të trupit , dhe kjo mund të ndodhë për shkak të rritjes së nivelit të hormoneve të caktuara.

Cila është pesha trupore e rekomanduar gjatë shtatzënisë?

Protokollet për shtimin e peshës në shtatzëni janë si më poshtë (i referohen mbartjes së një fetusi) :

Për gratë me peshë të ulët trupore (BMI<18.5) duhet të shtojnë peshë 12-18 kg

Për gratë me peshë trupore normale (BMI18.5-24,9) duhet të shtojnë peshë 11-15 kg.

Për gratë me mbipeshë trupore (BMI 25-29.9) duhet të shtojnë 6-11 kg.

A mund të shkojë gruaja shtatzënë tek dentisti?

Po, kujdesi për dhëmbët gjatë shtatzënisë luan një rol të rëndësishëm në kujdesin e përgjithshëm shëndetësor. Gjatë shtatzënisë mishrat e dhëmbëve janë më të ndjeshme, prandaj gjatë larjes së dhëmbëve shpesh keni gjakderdhje të mishrave të dhëmbëve.

Përse urthi në stomak është më i shpeshtë gjatë shtatzënisë?

Zbrazja e stomakut gjatë shtatzënisë është më e ngadalësuar.konsiderohet se ndikimi hormonal i progesteronit dhe ulja e nivelit të motilinit luajnë rolin kryesor.një ndikim të madh ka dhe obstruksioni mekanik në tremujorin e tretë, për shkak të rritjes së madhe të mitrës.

Përse shfaqen dhimbje të shpinës gjatë periudhës së shtatzënisë?

Gjysma e grave shtatzëna kanë dhimbje në pjesën e shpinës, gjatë periudhës së shtatzënisë. Dhimbja e shpinës ndodh për shkak të shumë faktorëve, të cilat përfshijnë çrregullimin e qendrës së balancit të shkaktuar nga rritja e mitrës, rritja e lëvizjes së kyçeve (nyjeve) si rezultat i rritjes së hormonit relaksin, i cili çon deri në tërheqjen e ligamenteve, të cilat janë të ndjeshme ndaj dhimbjeve. Trajtimi është masazhi, përdorimi i këpucëve me taban të mirë mbështetës,si dhe ushtrimet e programuara mirë për forcimin e muskujve.

A është marrëdhënia seksuale e sigurt gjatë periudhës së shtatzënisë?

Marrëdhënia seksuale është e sigurt nëse nuk bëhet fjalë për një shtatzëni patologjike.