fbpx

Ekzaminimet e detyrueshme gjatë shtatzënisë

Gjatë periudhës së shtatzënisë duhet të kryeni 10 ekzaminime nëse kjo është lindja juaj e parë,  ndërkohë që për ata që nuk lindin për here të pare duhet të kryejnë 7 ekzaminime.  Për shtatzënitë me rrezik të lartë, dhe sipas nevojës numëri i ekzaminimeve është më i madh. Gjinekologu juaj do ta kontrollojë presionin tuaj të gjakut, peshën tuaj trupore, analizat tuaja të gjakut, analizën e urinës si dhe rritjen dhe zhvillimin e fetusit.  Përveç këtyre kontrolleve rutinë, është e rëndësishme që të kryhen edhe ekzaminime të caktuara më specifike.

 

Tremujori i parë – në fillim të shtatzënisë kryhet kontrolli gjinekologjik në të cilën merret një histori e detajuar e gruas për sëmundjet e saja të mëparshme dhe operacionet, kryerjen e vaksinave si dhe sëmundjet e mundshme në familje. Gjatë këtij tremujori merret bris mikrobilogjik dhe analiza mikrobiologjike e urinës.  Infeksionet vaginale, mund të rrisin rrezikun e shpërthimit të parakohshëm të ujrave, lindje të parakohëshme, infeksion tek fëmija dhe për këtë arsye duhet zbuluar dhe trajtuar në kohë. Zakonisht, një here në muaj kryhen analizat laboratorike të gjakut dhe urinës. Përcaktohet grupi i gjakut dhe faktori Rh.  Nga java e 11 deri në javën e 14 të shtatzënisë, kryhet kontrolli i pare me ultratinguj cili përcakton rrezikun e fetusit nga anomalitë hormonale. Gjatë këtij ultratingulli zbulohen pjesë të caktuara të fetusit të cilat mund të tregojnë anomali të cilat zakonisht zhduken pas javës së 14-të. Nëse nuk e kryeni këtë kontroll, më tej nuk do të mund t’i detektoni shenjat të cilat tregojnë mundësinë e sëmundjeve hormonale të qëndrueshme siç është sindromi Down, që për fat të keq është i pashërueshëm.

Tremujori i dytë -  Nga java e 18 deri në javën e 22 të shtatzënisë, bëhet skriningu ultratingull, edhe pse me anë të të cilit ndiqet rritja e fetusit, ka për qëllim analizën e detajuar të anatomisë së fetusit, organeve të tij individuale, dhe përjashtimin e anomalive të lindura të fetusit, duke filluar nga më të rëndat, të cilat janë të rrezikshme për jetën e fetusit, deri tek ato më të voglat apo defektet kozmetike. Analizohet kordoni kërthizor, placenta, pozicioni i saj, si dhe gjatësia e qafës së mitrës, e cila përcakton rrezikun e lindjes së parakohëshme. Gjatë këtij kontrolli mund të vërehen shenja të fetusit të cilat do të tregonin rrezikun e sindromit Down, apo të ndonjë anomalie tjetër hormonale. Nëse ekziston ndonjë dyshim tjetër për rritjen e rrezikut për sëmundje hormonale të fetusit gjatë kontrollit me ultratingull, ose nëna është mbi moshën 35 vjeçare, ose për shkak se më parë keni patur fëmijë me sëmundje hormonale ose keni patur një prekje familjare të kësaj sëmundje,gjinekologu juaj do t’ju rekomandojë kryerjen e amniocintezës.

Çfarë është amniocinteza? Është një lloj ekzaminimi i cili kryhet nëpërmjet barkut të shtatzënës, nën kontrollin e ultratingullit, me anë të një age (gjilpëre)  tepër të hollë merret mostër e lëngut amniotik. Amniocinteza zbulon pothuajse të gjitha çrregullimet hormonale, duke përfshirë edhe sindromin Down, si dhe sindromi Turner dhe Klinefelter.  Ajo është më shumë se 99%  e sigurt për diagnostikimin e saktë të këtyre gjendjeve. Gjithashtu zbulon edhe disa qindra çrregullime gjenetike si fibroza cistike. Amniocinteza nuk mund të zbulojë anomali anatomike të lindura siç janë defektet në zemër, çarje të buzëve dhe të mishrave të dhëmbëve, megjithatë ato zbulohen nëpërmjet skriningut me ultratingull në tremujorin e dytë.  Prandaj këtë kontroll nuk duhet ta humbisni në asnjë mënyrë!

Gjatë periudhës së javës 24 deri në javën e 28 kryhet test për zbulimin e diabetit të shtatzënisë.

Tremujori i tretë – me kontrollin me ultratingull gjatë tremujorit të tretë (java e 30-34) kontrollohet rritja e duhur dhe proporcionale e fëmijës. Zbulohet nëse ka ngadalësim në rritjen e fëmijës, për shkakt të çrregullimeve në funksionimin e placentës.  Me ndihmën e Dopplerit analizohet nëse është i mjaftueshëm qarkullimi i gjakut në kordonin e kërthizës së fëmijës, nëse jo, kur është momenti i përshtatshëm për ti dhënë fund shtatzënisë, dhe në të njejtën kohë të kemi një fëmijë të shëndetshëm dhe të pjekur (rritur) mjaftueshëm. Gjatë muajit të 9-të, kontrollet janë më të shpeshta, si dhe kryhet CTG e cila regjistron shkallën e rrahjes së zemrës së fëmijës tuaj.  Përveç kësaj regjistron edhe qëndrimin, fuqinë, kohëzgjatjen dhe shpeshtësinë e kontraktimeve të mitrës. Qëllimi i tij është që të vlerësojë gjendjen e fetusit, furnizimin e tij me oksigjen, si dhe nëse gjatë shfaqjes së kontraktimeve bie furnizimi i fetusit me gjak. Kjo kryhet në tremujorin e fundit dhe para momentit të lindjes. Në këtë periudhë kryhet edhe testi mikrobiologjik për grupin B streptokok ( GBS), që është një bakterie e zakonshme e cila zakonisht gjendet në zorrën e trashë dhe shpesh është i parrezikshëm për të rriturit, por bebet mund të përballen me probleme serioze nëse preken nga kjo lloj bakterie. Për ta zbuluar atë, gjinekologu do t’ju marrë bris në pjesën e poshtme të vaginës dhe në pjesën ndërmjet vaginës dhe anusit. Nëse rezultati është pozitiv, kur të filloni me lindjen do t’ju japin një antibiotik për t’a mbrojtur fëmijën nga bakteria.

Për nënat me Rh negative. Nëse ju keni Rh negative dhe fëmija juaj është Rh pozitiv, është e mundur që një numër i vogël i qelizave të fëmijës tuaj të jenë futur në qarkullimin gjatë shtatzënisë apo gjatë lindjes. Atëherë imuniteti juaj do t’i trajtojë ato si një trup i huaj, dhe do të krijojë antitrupa kundër tyre. Nëse në trupin tuaj janë krijuar antitrupa të tillë, ato mund ta dëmtojnë seriozisht fëmijën tuaj. Gjaku juaj do të testohet për të provuar nëse janë krijuar antitrupa të tillë. për të mbrojtur fëmijën dhe shtatzënitë e tjera në të ardhmen, në javën e 28 të shtatzënisë, do t’ju jepet një injeksion Anti-D, i cili do të parandalojë trupin tuaj për të formuar antitrupa kundër fëmijës tuaj. Pas lindjes merret gjak nga fëmija juaj, dhe nëse vërtetohet se fëmija është Rh pozitiv, do të duhet të bëni edhe një injeksion tjetër Anti –D.