fbpx

Si dhe përse shfaqet infertiliteti mashkullor

Supfertiliteti mashkullor, infertiliteti apo e thënë ndryshe shterpësia mashkullore është një problem shumë i rëndësishëm global mjekësor dhe social. Studimet epidemiologjike tregojnë se një nga shtatë çifte klasifikohen të shterpë. Nëse merret si një kriter i vetëm disfunksionimi i spermatozoideve, atëherë 20% e meshkujve mbi moshën 18 vjeçare janë klasifikuar si supfertilë. Ajo që veçanërisht është shqetësuese është se prevalenca e infertilitetit të mashkullit është në rritje. Për këtë problem të shpeshtë tek meshkujt, biseduam me Prof. Dr. Çedo Dimitrovski, endokrinolog në Spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’.

Çfarë është infertiliteti mashkullor

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, infertiliteti përcaktohet si paaftësia e një çifti seksualisht active për të arritur një shtatzëni pavarësisht pavarësisht marrëdhënies seksuale të pambrojtur për më shumë se 12 muaj. Përkufizimi bazohet tek studimet të cilat përdorin kohën normale të nevojshme për të mbetur shtatzënë. Këto studime kanë treguar se probabiliteti i shtatzënisë është 20% pas ciklit menstrual, ose 80% - 90% në vit.  Madje edhe tek çiftet të cilët nuk arrijnë të kenë shtatzëni brenda 12 muajsh, 55% e tyre marrin pasardhës në 36 muajt e ardhshëm.  Nëse kohëzgjatja e infertilitetit kalon 4 vjet, shkalla e konceptimit (ngjizjes) në muaj bie në 1.5% . rregulli i përgjithshëm është se nëse nuk është arritur shtatzëni pas 3 viteve, atëherë, ka shumë mundësi  që infertiliteti të vazhdojë edhe më tej nëse nuk kryhet trajtim mjekësor.

Cilat janë shkaqet kryesore të infertilitetit mashkullor?

Shkaqet e infertilitetit mashkullor janë të shumta. Tek numri më i madh i tyre (50-60%) e shkakut është oligozoospermia idiopatike (reduktimi i numrit të spermatozoideve pa mundur të përcaktohet shkaku). Tek 10-20% shkaku kryesor është dëmtimi i testiseve (çrregullime kromozomale; mikrodelecioni i kromozomit Y; moszbritja e testiseve; rrezatimi; inflamacioni i testiseve si dhe disa ilaçe). Tek 15-35% e meshkujve me infertilitet zbulohet varikocela (zgjerimi i venave në skrotum), roli dhe kontributi i varikocelës përsa i përket infertilitetit vazhdon të mbetet i paqartë. Pengimi i traktit të farës së lëngshme (mungesë e lindur e farës së lëngshme; pengimi epididimal dhe vazektomia) është shkaku i infertilitetit tek 5% e meshkujve. Çrregullimi i hipofizës dhe hipotalamusit (adenoma, hipopituitarizmi, hipogonadizmi idiopatik hipogonadotropik; hiperprolaktinemia) gjenden tek rreth 5% e meshkujve. Tek më pak se 5% shkakqet janë antitrupat autoimune kundër spermatozoideve; ilaçet e ndryshme; toksinat dhe sëmundjet sistematike. Tek më pak se 1% shkaku është çrregullimi koital.

Si trajtohet infertiliteti mashkullor?

Trajtimi i infertilitetit mashkullor është i vështirë dhe shumë shpesh frustrues, si për pacientin ashtu edhe për mjekun. Trajtimi mbështetet në tre shtylla. Metoda e parë është ajo me ilaçe. Këtu përdoren antibiotikët, kortikosteroidet, androgjenet, antiestrogjenet, gonadotropinet si dhe ilaçe të tjera më pak specifike. Metoda e dytë është trajtimi kirurgjik. Operacionet më të zakonshme janë varikocelektomia, orkidopeksia, vazovazostomia, vazoepididimostomia, adenektomia, etj. Në vitet e fundit një progres i madh në trajtimin e formave më të rënda të infertilitetit mashkullor(azoospermia ose olizoospermia e rëndë) është arritur me aplikimin e teknikave të riprodhimit të asistuar, siç janë IVF, ICSI dhe PISCI.

ICSI është një metodë efektive e fekondimit të qelizave vezore kur parametrat e ejakulimit nuk janë optimale ose kur metodat e mëparshme të fertilizimit  nuk japin rezultat. Me ndihmën e kësaj metode edhe rastet më të rënda të infertilitetit mashkullor, siç është numri shumë i ulët i spermatozoideve gjatë ejakulimit, mund të trajtohen në mënyrë të sukseshme me metodat e IVF.  Teknikat riprodhuese të asistuara me spermatozoidët e donatorëve (dhuruesve) sugjerohen tek çiftet  tek të cilët është diagnostikuar steriliteti absolut i mashkullit (azoospermia) si dhe atëherë kur ekziston rrezik nga sëmundjet gjenetike të transmetueshme tek pasardhësi.  Qendra për riprodhimin e asistuar në Spitalin klinik ‘Acibadem Sistina’ ofrohen këto metoda të sofistikuara të cilat i mundësojnë çiftit të ketë pasardhës.