fbpx

Cilat janë shkaqet më të shpeshta për infertilitet te femra?

Mungesa e ovulimit – shpesh regjistrohet te femrat me çrregullime të vërtetuara hormonale/dibalans, siç është sindroma e vezoreve policistike ose te rastet me tajitje të zmadhuar prolaktin – hiperprolaktinemi. Shkaqet tjera më së shpeshti janë ngarkesa fizike e tepruar – stërvitja rigoroze, ushqimi i çrregulluar, lëndime ose tumore të vezoreve... Nëse mungesa e ovulimit është shkaku i vetëm për infertilitet te femra, ka gjasa të mëdha pas eliminimit të shkaqeve primare dhe sipas nevojës stimulim të funksionit ovarial me ndihmën e medikamenteve që të arrihet ovulimi dhe shtatzënia.

Anomali të qafës së mitrës ose të mitrës/uterusit. Shkaqet më të shpeshta nga ana e qafës së mitrës janë infektimet kronike – cerviciti ose ndryshime funksionale të cilat para së gjithash manifestohen përmes kualitetit të zvogëluar të mukozës cervikale. Kjo shpesh është si pasojë e intervenimeve dhe ndërhyrjeve operative në qafën e mitrës, siç janë kauterizime më të mëdha, konizime më të larta/më të thella ose amputimet, shpesh si pasojë e trajtimeve të ndryshimeve para kanceroze dhe kanceroze të qafës së mitrës.

Disa pozita atipike të mitrës (retroversion) luajnë rol te infertiliteti.

Anomali të lindura në zhvillimin e mitrës (mitër unikorn, mitër bikorn, mitra me perde etj.) shpesh potencohen si shkak për infertilitet te femra. Po ashtu, prezenca e gungave në mitër si rezultat i proceseve inflamuese ose intervenimeve më agresive (për shembull aborti) është shkaku për infertilitet. Po ashtu duhet të përmenden polipet e endometriumit ose miomët e mitrës si shkaqe për infertilitet. Për fat të mirë, të gjitha këto që i përmendëm paraprakisht në numrin më të madh të rasteve zgjidhen me sukses me ndërhyrje kirurgjike.

Faktori tubar i infertilitetit, që është rezultati më i shpeshtë i proceseve inflamuese të tubave/vezë përçuesve, më shpesh si rezultat i sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, endometrioza dhe/ose athezionet. Shumë shpesh faktori tubar është pasojë e aborteve.

Endometrioza – e cila manifestohet kur indi endometerial implantohet dhe rritet jashtë mitrës, me afeksion të shpeshtë të funksionit të vezoreve (përmes krijimit të ashtuquajturës ciste çokollate), mitra (adenomioza) dhe/ose vezë përçuesit (inflamacioni, gungat dhe funksioni i çrregulluar). Varësisht prej rastit, trajtimi është përmes ndërhyrjes kirurgjike, me medikamente ose i kombinuar.

Insuficienca primare ovariale ose humbja e parakohshme e funksionit ovarial (para moshës 40 vjeçe). Shpesh shkaqet janë të panjohura, ndërsa gjendjet që asocojnë me menopauzën e parakohshme janë gjeneza familjare, sëmundje të sistemit imunologjik, rrezatimi ose kimioterapia, stresi, cigaret, drogat, etj.

Si sterilitet idiopatik (infertiliteti) caktohet ajo formë e infertilitetit për të cilin nuk mund të gjenden/zbulohen shkaqet reale. Sipas të dhënave nga literatura, infertiliteti idiopatik paraqitet te 10-15% të vajzave. Te ky tip i infertilitetit ekzaminimet e ndërtimit anatomik dhe testet funksionale nuk tregojnë shmangie as te mashkulli, as te femra (spermogram normal dhe test post koital, mungesë e antitrupave antispermal, mitër dhe vezë përçues normal, funksion normal i vezoreve e vlerësuar sipas matjes së temperaturës bazale, caktimi i nivelit të hormoneve në serum, mungesa e infektimeve...).

Sipas treguesve statistikor, vajzat me sterilitet idiopatik kanë 40-89% gjasa për të mbetur shtatzënë në periudhë prej tre vjetëve. Mosha e gruas dhe periudha më e gjatë e infertilitetit janë faktorët të cilët i zvogëlojnë gjasat për shtatzëni spontane te këto vajza.

Për fat të mirë, numri më i madh i shkaqeve të përshkruara për infertilitet të cilat mund të mjekohen (përmes ndërhyrjes kirurgjike ose me medikamente) dhe me aplikimin e teknologjive moderne riprodhuese asistive mund të vihet deri te shtatzënia e dëshiruar.