fbpx

Tremujori i tretë

Po afrohet dita kur më në fund, pas nëntë muajsh për herë të parë do të mund ta shikoni dhe ta shtrëngoni beben tuaj. Tek disa gra, gjatë kësaj periudheshfaqen ënjtje, nervozizëm dhe lodhje. Por shumë shpejtë do të vijë dita kur do të bëheni nënë dhe të gjitha problemet e shtatzënisë do të mbeten në të shkuarën. 

Tremujori i tretë fillon nga java e 28 dhe 29 e shtatzënisë

Deri në javët e fundit foshnja lëshon gjysëm litër urinë në lëngun amniotik dhe gëlltitë pothuajse po aq lëng amniotik në ditë. Ndoshta tingëllon keq, por, urina e bebes është tepër sterile. Në tremujorin e fundit foshnja juaj do të rrisë peshën e vet çdo javë nga 200 gram.

Java e 30, shfaqja e ënjtjeve tek nëna

Është e mundur shfaqja e ënjtjeve tek këmbët dhe në pjesën e poshtme të gjunjëve.  Ënjtjet ushtrojnë presion mbi nervat dhe mund të shkaktojnë dhe mpirjen e këmbëve. Këto ënjtje zakonisht janë pasojë e mbajtjeve të lëngjeve dhe qarkullimit me vështirësi të enëve të gjakut dhe mitra ushtron presion mbi pelvisin. Ato zakonisht reduktohen pas fjetjes dhe pushimit. Për ti zvogëluar këto ënjtje relaksoni këmbët tuaja duke i mbajtur në një pozicion të ngritur, akoma më mirë nëse keni mundësi të notoni dhe të shmangni qëndrimin në këmbë për një kohë të gjatë.  Nëse ënjtjet nuk tërhiqen pas fjetjes dhe pushimit, menjëherë kërkoni ndihmën e gjinekologut tuaj. Kontrolloni presionin tuaj të gjakut.

Java e 31-33, zhvillimi i mushkërive tek fetusi

Organet e fetusit tashmë janë plotësisht të formuara, mbetet vetëm pjekuria apo zhvillimi i mushkërive. Në javën e 33 të shtatzënisë, pozicioni të cilin tani merr foshnja juaj, ka shumë mundësi të jetë pozicioni përfundimtar (mundësia për të lindur me kokë poshtë është 97%, ose për të lindur mbrapsht është 2,7%).

Tek nëna mund të shfaqen vena blu të përthyera tek këmbët në pjesën e poshtme të gjurit – ndryshe i quajmë variçe. Venat në zonën e rektumit (zorra e trashë) në fakt janë hemoroide. Nëse keni variçe të dhimbshme, mundohuni ti mani këmbët tuaja në pozicion të ngritur lart dhe vishni çorape çër ti shtrënguar ato.  Për të parandaluar shfaqjen e hemoroideve, bëni kujdes me ushqimin me qëllim për të parandaluar kapsllëkun. Nëse keni nxehtësi lokale, skuqje dhe ënjtje të këmbëve, kontaktoni menjëherë gjinekologun tuaj.

Java e 34, nëna ndjen mungesë të ajrit

Duke filluar nga kjo javë dhe më tej, është e mundur që të ndiheni të lodhur, të keni mungesë të ajrit, urth në stomak, të keni dhimbje në pjesën e shpinës, dhe të gjitha këtë shqetësime ju bëjnë të prisni me padurim momentin e lindjes! Rritja e mitrës ushtron presion mbi diafragmën e cila shkakton tek ju mungesën e ajrit. Simptomat zhduken gjatë javëve të fundit të shtatzënisë, atëherë kur foshnja zbret në pjesën e fundit të barkut, pra në pjesën e pelvisit. Ndërkohë ju duhet të flini me pjesën e trupit pak të ngritur, në mënyrë që të lehtësohet presioni i ushtruar mbi mushkëritë.

Java e 35, rriten dhimbjet në pjesën e shpinës

Me rritjen e foshnjës tuaj, hormonet e shtatzënisë i relaksojnë kyçet e pelvisit dhe kockën e kryqit, në të njejtën kohë mitra e rëndon shtyllën kurrizore. Kërkoni nga partneri që tju bëjë masazh. Përdorni këpucë me takë të ulët por jo krejtësisht të rrafshta, dhe kujdesuni që të kenë një mbështetëse të mirë të tabanit (shputës) së këmbës.

Java e 36, nëna ndjen probleme me stomakun

Rritja e mitrës çon në shtytjen e stomakut nga pozicioni i tij normal. Kjo shkakton mbajtjen e acideve në stomak. Pozicionimi i bebes me kokë poshtë mund të ndodhë disa javë para lindjes. Kur fëmija të zbresë në pjesën e fundit të barkut, atëherë do të mund të merrni frymë më lehtë.

Në javën e 37, tashmë konsiderohet se foshnja juaj është gati për të lindur. Të gjitha organet e fetusit janë të përgatitura për të funksionuar në mënyrë të pavarur.

Java e 38-40, foshnja është gati për të lindur

Foshnja juaj është gati për të lindur. Në javën e 39 placenta vazhdon ta ushqejë foshnjën tuaj me lëndë ushqyese dhe me antitrupa, të cilat ndihmojnë për të luftuar infeksionet e mundshme gjatë lindjes. Nëse e ushqeni foshnjën me gji, në këtë mënyrë foshnja do të vazhdojë të marrë doza shtesë të antitrupave tuaj, të cilat janë thelbësore për imunitetin dhe mbrojtjen kundër mikroorganizmave, në periudhën më të ndjeshme, atëherë kur imuniteti i foshnjës akoma nuk është i formuar. Në javën e 40, foshnja juaj mund të peshojë nga 2900 gram deri në 4000 gram, ndoshta dhe më tepër. Mbani mend, fëmijët e shëndetshëm, lindin me madhësi të ndryshme. Kjo varet nga potenciali gjenetik përsa i përket rritjes së foshnjës tuaj, sigurisht, gjinekologu juaj gjatë periudhës së shtatzënisë do të zbulojë disa kushte të caktuara të cilat mund të çojnë në ngadalësimin e rritjes së fetusit, apo kushte të cilat mund të çojnë në rritjen e tepruar të fetusit. Nuk duhet të shqetësoheni nëse afati i parashikuar i lindjes kalon pa shfaqjen e kontraktimeve. Është mëse normale që të lindni disa javë më parë, madje dhe një deri në dy javë më vonë. Deri në afatin e parashikuar të lindjes tuaj, ju do të shtoni mesatarisht 11 deri në 16 kg. Nga kjo peshë, fetusi kontribuon me 3 deri në 4 kg, rritja e gjinjëve dhe e mitrës me nga 1 kg, lëngu amniotik  me 600 ml, rritja e vëllimit të gjakut tuaj me 3,5kg, si dhe yndyrëra rreth 3,5 kg.