Kam epilepsi – a duhet të mbetem shtatzënë?
Sulmet epileptike janë një disavantazh gjatë periudhës së shtatzënisë. kjo i referohet veçanërisht kontrollit të sulmeve të mëdha (sulmeve të rënda) të cilat nëse shfaqen gjatë shtatzënisë së përparuar mund të shkaktojë mungesë të oksigjenit tek fetusi, duke i shkaktuar atij në këtë mënyrë probleme.
A mund të shkaktojë komplikime te gratë shtatzëne terapia antiepileptike?
Të gjitha ilaçet antiepiletike kanë potencial që të shkaktojnë keqformime tek fetusi, por ky potencial nuk është aq i madh siç mendohej më herët. Në përgjithësi, rreziku është i vogël dhe të gjitha gratë që kanë epilepsi mund të lindin fëmijë të shëndetshëm. Planifikimi dhe udhëheqja e shtatzënisë nga persona profesional është parakushti më i madh për plotësimin e dëshirës së këtyre grave që të kenë fëmijë të shëndetshëm.
A mund të parashikohet rrjedha e epilepsisë në shtatzëni?
Rrjedha e epilepsisë në periudhën e shtatzënisë nuk mund të parashikohet. Studimet kanë treguar se te rreth 50% të grave shtatzëna shpeshtësia e sulmeve mbetet e pandryshuar, te rreth 30% sulmet shpeshtohen, ndërsa te rreth 20% rrallohen. Shpeshtia e sulmeve lidhet me rritjen e nivelit të estrogjeneve të serumit, ruajtja e natriumit, dhe bashkë me të rritja e sasisë së ujit në organizëm. Gjithashtu, frika, tensioni psikik, pagjumësia janë faktorët që mund të kontribuojnë në rritjen e shpeshtë të sulmeve.
Në praktikë shumë gra nga frika e efekteve negative të ilaçeve e zvogëlojnë dozën ose tërësisht e ndërpresin ilaçin me vetë iniciativën e tyre. Për këtë arsye, gjatë shtatzënisë të paktën një herë në muaj duhet të kontrollohet niveli i serumit të ilaçit në gjak, në mënyrë që sipas nevojës të përcaktohet doza e ilaçit. Pas lindjes niveli i serumit të ilaçit mund të rritet për shkak të dozës që duhet të ndryshojë d. m. th. të zvogëlohet.
Cilat janë rreziqet potenciale për fetusin?
Tashmë dihet se fëmijët, prindërit e të cilëve kanë epilepsi, kanë rrezik të madh që dhe ata vetë të preken nga epilepsia në krahasim me popullatën e përgjithshme. Rreziku është më i madh nëse nëna ka epilepsi, ndërsa më i vogël nëse babai ka epilepsi. Shfaqja e sulmeve te nëna gjatë shtatzënisë rritë edhe më tepër rrezikun për shfaqjen e epilepsisë te fëmija. Fëmijët e grave që kanë epilepsi kanë rrezik të madh për vdekje fetale, deformime dhe anomali të lindura, zhvillim të ngadalësuar. Gratë me epilepsi kanë 3-5 herë më shpesh aborte spontane të hershme apo të mëvonshme. Shkaku për këtë gjendje nuk është i njohur. Mendohet se shkaku për këtë janë vetë sulmet se sa aplikimi i ilaçeve antiepileptike. Nga keqformimet më serioze (më të mëdha) më shpesh paraqiten çarje të buzës së sipërme dhe defekte të zemrës. Përsa i përket defekteve të vogla zakonisht përballemi me keqformime të gishtërinjëve. Rreziku nga paraqitja e deformimeve tek fetusi është më i madh te dozat më të mëdha të ilaçeve dhe gjatë përdorimit të tepërt të antiepileptikëve për kontrollin e sulmeve. Të gjitha deformimet tek fetusi janë shkaktuar në 3 muajt e parë të shtatzënisë atëherë kur formohen organet te fetusi. Shumica e grave madje nuk e dinë se janë shtatzënë në muajin e 1-2 të shtatzënisë, prandaj dhe marrin dozën e rekomanduar maksimale të ilaçit. Për këtë arsye, për gratë me epilepsi është shumë e rëndësishme që shtatzënia të planifikohet, dhe të kontrollohet rregullisht.
Si udhëhiqet shtatzënia te gratë me epilepsi?
Mjeku i cili e planifikon dhe e kontrollon terapinë antiepileptike gjatë shtatzënisë përballet me dy kërkesa kundërshtuese, njëra është që nëna të mos ketë sulme, ndërsa tjetra është që fetusi të mbrohet nga efektet e padëshiruara të antiepileptikëve. Nënës së ardhshme duhet t’i sqarohen rreziqet nga aplikimi i antiepileptikëve, si për atë ashtu edhe për fetusin dhe të mundësohet ulja e rrezikut në minimum.
Kjo mund të arrihet nëse para se të fillojë shtatzënia pacientja të kalojë vetëm në një antiepileptik dhe kjo të jetë doza më e ulët e cila jep efekt. Akoma më mirë është që të zgjidhet një ilaç i cili ndikon për disa lloje të caktuara të sulmeve. Në periudhën para shtatzënisë duhet të caktohet niveli i ilaçit në gjak që të mund të shihet mundësia për zvogëlimin e dozës.
Është shumë mirë nëse kjo mund të arrihet në 3 muajt e parë të shtatzënisë, që doza e ilaçit të mbahet në nivelin më të ulët të mundshëm, ndërsa në muajt e fundit të shtatzënisë doza të rritet në mënyrë që të mos shfaqen sulme gjatë lindjes. Krahas kësaj, në fillim të shtatzënisë është e nevojshme që të jepen preparate multivitaminoze të cilat përmbajnë edhe acid folik. Në muajt e fundit të shtatzënisë duhet të përfshihet edhe vitamina K që të mos shkaktohet gjakderdhje tek fetusi.
Gjatë shtatzënisë medoemos të paktën një herë në 18 javë gjatë shtatzënisë, pacientja të udhëzohet për kryerjen e kontrollit me ultratingull (EKO) me cilësi të lartë, në mënyrë që të regjistrohen keqformimet e mundshme tek fetusi. Nëse ka regjistrime të këtyre keqformimeve, në varësi të peshës së tyre, shtatzënia mund edhe të ndërpritet. Lindja sipas dëshirës mund të bëhet në institucion, i cili ka njësi për kujdes dhe mjekim intensiv, për shkak të rrezikut të shfaqjes së sulmeve epileptike gjatë vetë aktit të lindjes.