Ovulimi
Njohuritë mbi ovulimin dhe njohja e simptomave të ovulimit rrisin mundësitë për mbetjen shtatzënë tek çdo grua.
Çfarë është ovulimi?
Ovulimi është fazë e ciklit menstrual kur qeliza vezore e pjekur lirohet nga sipërfaqja e një prej vezoreve. Qeliza vezore e liruar është gati për fekondim. Kjo është periudha ideale e ngjizjes. Jeta e re fillon nëse qeliza vezore e pjekur bashkohet me spermatozoidin në rrugën e saj nëpërmjet tubit fallopian. Në të kundërt ajo dështon. Tek pjesa më e madhe e femrave ovulimi ndodh një here në çdo cikël mujor, duke filluar nga puberteti deri në periudhën e menopauses, me përjashtim të periudhës së shtatzënisë dhe periudhës së të ushqyerit me gji. Ndonjëherë mund të ketë ovulim të parregullt, ose mungesë të ovulimit.
Kalendari i ovulimit
Ovulimi ndodh dy javë para ciklit menstrual. Në ciklin ideal në 28 ditë, ovulimi pritet në ditën e 14-të duke llogaritur nga dita e parë e gjakderdhjes menstruale. Meqënëse cikli varion në 24-35 ditë, ovulimi mund të pritet nga dita e 10-të deri në ditën e 18-të, në varësi të kuadrit kohor të ciklit, por gjithmënë dy javë para gjakderdhjes menstruale për shkak të qëndrueshmërisë së fazës së dytë posovulative të ciklit. Gjakderdhja mujore mund të shfaqet edhe në mungesë të ovulimit, sikurse dhe ovulimi mund të shfaqet në mungesë të gjakderdhjes mujore.
Dritarja e fertilitetit
Qeliza vezore ka një jetëgjatësi të shkurtër. Nëse nuk ka fekondim, ajo dështon në një periudhë prej 12 -24 orësh. Kjo nuk do të thotë se momenti seksual duhet të ndodhë pikërisht në momentin e ovulimit. Dritarja e fertilitetit është periudhë prej 6 ditësh ku mund të ndodhë shtatzënia. Për rritjen e mundësive të fekondimit, është e nevojshme prania e materialit të farës 5 ditë para ovulimit për shkak të mundësisë së spermatozoideve të lëvizshme të mund të mbijetojnë disa ditë në traktin riprodhues të femrës. Prandaj, rekomandohet marrëdhënie seksuale e rregullt çdo dy deri në tre ditë ose akordim i mardhënies seksuale gjatë periudhës maksimale konceptuale. Tek çiftet me pjellori normale, në çdo cikël ekziston mundësia e mbetjes shtatzënë nga 20 -25%.
Test për parashikimin e ovulimit
Rritja fiziologjike e hormonit litenizues (LH) në gjak për 24 deri në 36 orë shkakton nxjerrjen e qelizës vezore nga vezorja.Kjo rritje mund të regjistrohet duke kryer një test të thjeshtë të urinës dy ditë para shfaqjes së ovulimit. Kjo metodë rekomandohet për gratë me cikël menstrual të rregullt dhe pa disbalancim hormonal. Testet mjekësore për dëshmimin e ovulimit, përfshijnë zbatimin e analizave hormonale të gjakut dhe urinës dhe ndjekjen e ciklit me anë të ultratingullit.
A e dini se …
Gruaja lind me më shumë se një milion qeliza vezore të papjekura në vezoren e saj. Në periudhën e zhvillimit dhe rritjes së trupit, një pjesë e mirë e tyre shkatërrohen. Gjatë pubertetit, numëri i tyre është i përgjysmuar dhe këto qeliza vezore e presin mundësinë e tyre që të piqen krejtësisht në një nga ciklet menstruale të gruas gjatë procesit të ovulimit.