fbpx

Shfaqja e kontraktimeve të mitrës është diçka normale. Shfaqet për shkak të kontraktimeve të muskujve të mitrës. Kontraktimet e lindjes dallojnë nga kontraktimet e rreme etj. Kontraktimet Braxton Hicks dallojnë sipas frekuencës dhe forcës.
Kontraktimet spontane dhe të parregullta Braxton Hicks zakonisht shfaqen rreth javës së 20 – të. Shfaqen me interval kohore të parregullta dhe me një intenzitet të ulët, prandaj shumë prej grave shtatzëna nuk i ndjejnë edhe në raste kur ato shfaqen.  Këto kontraktime të ‘rreme’ janë në fakt përgatitja e mitrës për rolin kryesor – lindjen. 

Cilat janë kontraktimet e vërteta dhe cilat janë kontraktimet Braxton Hicks?

Kontraktimet e vërteta shpallin shenjat e aktit të lindjes së fëmijës, ndërsa kontraktimet Braxton Hicks janë në një farë mënyre përgatitja e mitrës për këtë akt.  Megjithatë, shumë shpesh edhe shfaqja e kontraktimeve të ‘rreme’ shkakton panik tek grate shtatzëna, veçanërisht nëse bëhet fjalë gjatë shtatzënisë së parë. Në fakt, ka një dallim të ndjeshëm ndaj dy llojeve të kontraktimeve.

  • Kontraktimet Braxton Hicks mund edhe të mos i ndjeni në momentin e shfaqjes së tyre. Kontraktimet e lindjes janë të një intensiteti shumë më të madh, prandaj nuk ekziston asnjë mundësi që gratë shtatzëna të mos i ndjejnë këto kontraktime.
  • Kontraktimet Braxton Hicks shfaqen në interval kohore të ndrshme dhe me një intensitet të ulët.
  • Kontraktimet e vërteta shfaqen në interval të caktuara, më pas bëhen më të shpeshta dhe më të forta.
  • Kontraktimet e vërteta shpesh janë të shoqëruara me rrjedhjen e ujrave. Përveç kësaj, shpesh shfaqet dhe dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës.

Pini shumë lëngje

Një nga arsyet e shfaqjes së kontraktimit Braxton Hicks është dehidratimi.  Pamjaftueshmëria e futjes së lëngjeve në trup, mund t’a rrisë intensitetin e këtyre kontraktimeve. Nëse i vëreni apo ndjeni kontraktimet Braxton Hicks, pini ujë dhe pushoni duke u shtrirë në pozicion anash.  Këto kontraktime mund të shfaqen edhe për shkak të mungesës së aktiviteteve fizike. Ajo çfarë është e rëndësishme është që të mos ju zërë paniku gjatë momentit të shfaqjes së tyre. Përjetoini kontraktimet Braxton Hicks si një reagim normal i trupit dhe si përgatitje e mitrës për aktin e lindjes.