fbpx

Lindja është momenti më i rëndësishëm në jetën e çdo gruaje. Në shumicën e rasteve, lindja natyrale kryhet pa komplikime, prandaj gjinekologët rekomandojnë lindje natyrale. Nëse lindja nuk mund të zhvillohet deri në fund në mënyrë natyrale, atëherë gjinekologët rekomandojnë lindje cezariane. Shumë gra preferojnë lindjen cezariane edhe pse nuk kanë indikacione mjekësore. Para se të vendosni, duhet të merrni parasysh avantazhet dhe disavantazhet e kësaj rruge të lindjes.

Lindja në mënyrë natyrale

Shumica e nënave të ardhshme këmbëngulin për lindje cezariane, për shkak se kanë patur mundësi të dëgjojnë një shumëllojshmëri të përvojave negative gjatë lindjeve në mënyrë natyrale. Edhe pse ekziston një lloj frike për lindjen vaginale, për çdo nënë do të ishte ideale që lindjen ta kryej në mënyrë natyrale, vetëm nëse tek nëna ekziston ndonjë problem shëndetësor apo për shkak të gjendjes së fëmijës e cila mund të mos e lejoj këtë gjë.  Dhimbja mund të kontrollohet me anë të analgjezisë epidurale apo spinale. Bëhet fjalë për lehtësimin e dhimbjeve e cila vendoset lokalisht në pjesën e shpinës dhe të rruazave, dhe gruaja në mënyrë të vetëdijshme, pa dhimbje dhe shumë më lehtë do ta kryej lindjen. Pas lindjes gruaja mund të ngrihet dhe të lëvizë, si dhe mund të kujdeset vetë për fëmijën e saj.

Lindja cezariane

Lindja cezariane është një procedurë kirurgjike si çdo kirurgji tjetër. Kryhet me prerje në pjesën e fundit të barkut. Zgjat rreth gjysëm ore, por mund të zgjasë edhe më tepër nëse procesi i lindjes komplikohet. Rekuperimi i lindjes cezariane zgjat më tepër në krahasim me lindjen natyrale. Dhimbjet zakonisht zgjasin një deri në dy ditë, por mund të keni edhe pështirosje për shkak të anestezisë. Pas intervenimit, gruaja qëndron në spital për pesë ditë, ndryshe nga lindja natyrale ku gruaja nuk qëndron më shumë se dy deri në tre ditë.

Arsyet për lindjen cezariane

Në dy dekadat e fundit, numri i lindjeve cezariane është rritur ndjeshëm. Shkak për këtë është dhe mosha e nënës të cilat gjithnjë e më shumë vendosin të bëhen nëna në moshë më të rritur. Shtatzënitë të cilat kanë rrezik të lartë  për shëndetin e gruas për shkak të presionit të lartë të gjakut, diabetit, veshkave, problemet me zemrën, inseminimi (pllenimi) artificial, zakonisht këto janë arsyet të cilat çojnë në lindje cezariane.  Gjithashtu, lindje cezariane kryejnë edhe gratë të cilat mbartin fetus të madh, ndërkohë që kanë një legen të ngushtë, edhe në rastet kur fëmija ndodhet në pozicion të kundërt (me këmbët poshtë), ose kur gruaja mbart më shumë se një fetus. Megjithatë, duhet të merret parasyshë fakti se gruaja nuk mund të kryej më shumë se tre lindje cezariane.

Kundër indikimet për prerje cezariane

Lindja cezariane nuk rekomandohet nëse fetusi nëse ka anomali gjenetike dhe nëse këto anomali janë fatale për fetusin. Është vërtetuar se fëmijët e lindur në mënyrë natyrale, kanë më pak vështirësi në frymëmarrje pas lindjes, ndryshe nga foshnjat e lindura me prerje cezariane, të cilët gjithësesi duken më të shëndetshëm dhe më të bukur, ndryshe nga foshnjat e ‘munduar’ nëpërmjet kanaleve të lindjes. Për shkak të anestezisë së përgjithshme që jepet, nëse nuk është spinale, fëmija adaptohet më ngadalë në mjedisin e jashtëm. Probleme mund të ketë edhe nëna. Tek nëna rritet rreziku i shfaqjes së trompozës dhe infeksionit të prerjes, si dhe mund të ketë probleme me ardhjen e qumështit të gjirit.