fbpx

Gjithçka që duhet të dini për spermatozoidet

Nëse është i mjaftueshëm vetëm një spermatozoid dhe një qelizë vezë që të krijohet foshnja, atëherë pse meshkujt prodhojnë aq shumë spermë? Dhe cila sasi e spermës llogaritet se është normale? Sa gjatë mbijetojnë spermatozoidet? Me kalimin e viteve mashkulli a mund të ndërpresë prodhimin e spermës?   Çfarë duhet të bëni që ta rritni kualitetin e spermatozoideve? Këto janë pyetjet më shpesh të parashtruara të cilat e “mundojnë” gjininë më të fuqishme.

Prandaj dr. Aleksandar Mickovski, kirurg urolog, në këtë numër ju zbulon të gjitha dilemat rreth spermatozoideve.

Sa gjatë jetojnë spermatozoidet?

Përgjigja në këtë pyetje varet prej shumë faktorëve, prej të cilëve më e rëndësishmja është vendi ku gjendet sperma. Në sipërfaqe të thatë, si për shembull teshat ose çarçafët, spermatozoidet vdesin kur sperma do të thahet. Në ujë, siç është banja e ngrohtë ose vaska e ngrohtë, spermatozoidet, me siguri, do të jetojnë më gjatë pasi që janë të aftë të mbijetojnë në mjedise të ngrohta, të lagështa. Megjithatë, gjasat janë shumë të vogla që spermatozoidet në vaskë plot me ujë do ta gjejnë rrugën deri te gruaja dhe do të bashkohet me qelizën vezë. Në trupin e gruas, spermatozoidet mund të jetojnë edhe deri në pesë ditë. Nëse keni marrëdhënie të pambrojtura me partnerin tuaj, ekziston mundësia që të mbeteni shtatzënë edhe pas disa ditëve.

Sa sasi e spermës është e nevojshme që të arrihet shtatzënia?

Që të arrihet shtatzënia mjafton që qeliza vezë të fekondohet me një spermatozoid. Ejakulimi mesatar (sipas OSHB) përmban deri 120 milionë spermatozoide. Sipas Organizatës Shëndetësore Botërore, meshkujt të cilët kanë më pak se 40 milionë spermatozoide në një milimetër spermë kanë rrezik që të kenë probleme me fertilitetin.

Si të përmirësohet shëndeti i spermës?

Shumë prej gjërave të cilat i bëni që ta mbani shëndetin tuaj në gjendje të mirë janë të mira edhe për spermën e shëndetshme. Ato përfshijnë:

  • Heqja dorë prej cigareve dhe drogave, s dhe konsumimi i steroideve
  • Shmangia e ekspozimit në rrezatim, substanca toksike, siç janë pesticidet dhe metalet e rënda
  • Kufizimi i konsumimit të alkoolit
  • Konsumimi i ushqimit të shëndetshëm dhe mbajtja e peshës së shëndetshme
  • Kujdes me skrotumin (qesja e testiteve) pasi që ngrohtësia e zvogëlon prodhimin e spermës. Shmangni banja të ngrohta dhe vaska të ngrohta, mbathni të brendshme të lira në vend të brendshmeve të ngushta për trupi, shmangni pantallona të ngushta.
  • Te fëmijët e vegjël, testitet të lëshohen më së voni deri në moshën dy vjeçare

Spermogram

Ekzaminimi i spermës është një nga metodat më të rëndësishme dhe kryesore për caktimin e funksionit të testiteve. Spermogrami është test me të cilin caktohet fertiliteti te mashkulli përmes kontrollit të cilësisë dhe sasisë së spermës. Për shkak të ndryshimeve të shpeshta të rezultateve prej spermogramit, rekomandohen dy analiza të njëpasnjëshme në afat prej 45 ditëve. Mendohet se ekziston fuqi e madhe fertiliteti kur numri i spermatozoideve është deri në 185 milionë në një milimetër. Po ashtu, supozohet se fertiliteti është zvogëluar nëse ka më pak se 20 milionë spermatozoide aktiv në një milimetër. Gjatë kësaj duhet të jenë mjaft të lëvizshëm të paktën 25% të spermatozoideve, ku është e rëndësishme të lëvizin në mënyrë progresive, e jo në vend. Spermatozoidet bëhen të lëvizshëm pas ejakulimit. Në traktin gjenital të gruas spermatozoidet janë t lëvizshëm 48 deri 72 orë pas ejakulimit duke lëvizur me shpejtësi prej 0,5 deri 3 mm në minutë. Gjatlsia e përgjithshme e spermatozoidit të njeriut është 0,05 mm. Rreth 1/10 bie te koka, po aq te pjesa e mesme, ndërsa pjesa tjetër te bishti.

Me ndihmën e spermogramit caktohet përqendrimi i spermës, lëvizshmëria e tyre (mendohet se pas një ore së paku 25% të spermatozoideve duhet të jenë të lëvizshme), madhësia, forma dhe pamja.

A ndikon mosha te fertiliteti?

Për dallim prej femrave, fertiliteti  i të cilave përfundon në menopauzë, meshkujt vazhdojnë të jenë fertil. Edhe pse prodhimi i spermës zvogëlohet me moshën, ata vazhdojnë të prodhohen.

A mjafton vetëm një spermatozoid që të krijohet foshnja?

Që të fekondohet qeliza vezë spermatozoidi duhet të udhëtojë prej vagjinës deri te vezë përçuesit dhe gjatë kësaj rruge të mundimshme dhe të vështirë duhet të luftojë që të mbijetojë. Një pjesë e tyre mbijetojnë, një pjesë jo. Qeliza vezë është e mbështjellë me një shtresë të trashë që e vështirëson depërtimin e spermatozoidit. Ekspertët besojnë se ky proces është mënyra që t’u lejohet vetëm spermatozoideve të shëndetshme dhe të fuqishme ta fekondojnë qelizën vezë. Në këtë mënyrë sigurohen gjasat më të mira që të lindë foshnjë e shëndetshme.