fbpx

Udhëzues për një shtatzëni të sigurt edhe pas moshës 35 vjeçare

Një proverbë thotë se ‘ vitet nuk janë gjë tjetër veçse shifra’. Por kur bëhet fjalë për një shtatzëni të shëndetshme, atëherë vitet nuk duhet të neglizhohen aspak. Sidoqoftë, numri më i madh i grave të shëndetshme të cilat kanë mbetur shtatzënë pas moshës 35 vjeçare, madje edhe në moshën 40 vjeçare, kanë fëmijë të shëndetshëm. kjo nuk do të thotë se ju duhet të relaksoheni dhe të mos mendoni në marrjen e hapave të rëndësishëm në jetë.

Rreziqet e shtatzënisë pas moshës 35 vjeçare.

Gratë shtatzëna të cilat i përkasin këtij grupi, duhet të jenë vazhdimisht në kontakt me doktorin për shkak të numrit të madh të problemeve me të cilat mund të përballen. Një nga problemet më të zakonshme është diabeti gestacional dhe pre-eklampsia, gjendje e cila shkakton rritjen e presionit të gjakut dhe proteinave në urinë. Gjatë periudhës së paralindjes, doktori juaj do të kontrollojë presionin e gjakut, do të kontrollojë proteinat dhe sheqerin në urinë, si dhe nivelin e glikozës në gjak. Në këtë mënyrë, të gjitha rreziqet e mundshme do të zbulohen në kohë, duke mundësuar trajtimin e tyre në kohë.

Amniocinteza

Amniocinteza kryhet ndërmjet javës 16 dhe 19 të shtatzënisë. Amniocinteza është një intervenim gjatë së cilës gjinekologu me anë të ultrazërit merr një sasi të caktuar të lëngut amniotik, e cila më pas dërgohet për analizë në laboratorin citogenetik. Procedura nuk është e dhimbshme, ndërsa shtatzënat e përshkruajnë si diçka jo të këndshme. Me analizën e numrit dhe strukturës së kromozomeve, mund të zbulohet nëse fëmija ka çrregullim të kromozomeve. Bëhet fjalë për një test të veçantë prenatal, i cili mund të ndihmojë në zbulimin e disa keqformimeve të caktuara të fëmijës, sikurse është sindromi daun(down).

Kujdesi i para lindjes në 12 javët e para.

12 javët e para të shtatzënisë janë shumë të rëndësishme për shëndetin e fëmijës tuaj. Kujdesi i rregullt para lindjes dhe në kohë, rrit mundësinë për një lindje të sigurt dhe bebe të shëndetshme. Kujdesi i para lindjes përfshin kontrollet e rregullta gjinekologjike, teste dhe ekzaminime, edukimin për një shtatzëni të sigurt dhe bebe të shëndetshme si dhe këshillime të rregullta nga specialist në fushën e gjinekologjisë dhe obstetrikës (akusherisë).

Vitaminat e detyrueshme

Të gjitha gratë shtatzëna duhet të marrin vitamina prenatale të cilat përmbajnë rreth 400 mikrogram acid folik. Marrja e saj e përditshme në sasi të mjaftueshme gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë, ndihmon në parandalimin e defekteve të trurit dhe palcës kurrizore të fëmijës. Këtij rreziku më së shumti i nënshtrohen gratë shtatzëna më të rritura, prandaj marrja e rregullt e acidit folik është veçanërisht e rëndësishme për ato dhe për fëmijët e tyre.

Dhëmbë të shëndetshëm për një shtatzëni të shëndetshme.

Sa më të shëndetshëm të jeni ju, aq më të shëndetshëm janë dhe fëmijët tuaj. Gjatë periudhës së shtatzënisë është shumë e rëndësishme të kryeni kontrolle të rregullta stomatologjike. Dhëmbët dhe mishrat e shëndetshëm,  zvogëlojnë rrezikun e lindjes së parakohshme.

Ushqime të larmishme

Një faktor tepër i rëndësishëm për një shtatzëni të shëndetshme është ushqimi i larmishëm.  Në këtë mënyrë i ofroni organizmit tuaj të gjitha lëndët ushqyese për të cilat ka nevojë. Konsumoni pa limit fruta dhe perime, drithëra, fasule dhe produkte me yndyrë të ulët. Konsumoni çdo ditë produkte të qumështit dhe ushqime të pasura me kalcium. Në këtë mënyrë do t’i mbani kockat dhe dhëmbët tuaj të shëndetshëm ndërkohë që fëmija juaj zhvillohet. Përfshijeni acidin folik në çdo sallatë jeshile, fasule të thata, bishtaja dhe në të gjitha frutat citrike. 

Ruajeni peshën trupore të rekomanduar

Gratë me një indeks normal të masës trupore e rrisin peshën e tyre nga 11 deri në 16 kg, ndërsa ato të cilat kishin një peshë trupore më tepër se pesha normale para shtatzënisë nuk duhet të shtojnë më shumë se 7 deri në 10 kg. Ruajtja e peshës trupore gjatë periudhës së shtatzënisë zvogëlon rrezikun e lindjes së parakohëshme dhe të çfarë do lloj pengese në zhvillimin e bebes. Gjithashtu, zvogëlohet edhe rreziku i shfaqjes së problemeve të shtatzënisë siç janë  diabeti gestacional dhe presioni i lartë i gjakut.

Kryerja e ushtrimet e rregullta

Kryerja e ushtrimeve të rregullta ju ndihmon që ta ruani peshën e dëshiruar trupore, ju mban në një formë të shëndetshme dhe zvogëlon stresin. Gjithçka që duhet të bëni, është të konsultoheni me doktorin tuaj rreth ushtrimeve të cilat mund t’i kryeni dhe cilat janë të dobishme për ju.

Ndaloni menjëherë pirjen e duhanit dhe të alkoolit!

Sikurse të gjitha gratë shtatzëna edhe ju duhet të ndërprisni pirjen e duhanit dhe të alkoolit gjatë periudhës së shtatzënisë. Pirja e alkoolit rrit rrezikun për shumë çrregullime mendore dhe fizike për fëmijën tuaj. Ndërsa pirja e duhanit rrit rrezikun e lindjes së parakohëshme ose të lindje së një fëmije të pa zhvilluar plotësisht. Këto rreziqe janë shumë më të mëdha për gratë shtatëzëna në moshë më të rritur. Pirja e duhanit gjithashtu mund të shkatojë pre- eklampsi.

Duhet patjetër të konsultoheni me doktorin tuaj se cilat ilaçe duhet të përdorni gjatë periudhës së shtatzënisë dhe periudhës së të ushqyerit me gji. Kjo nënkupton marrjen e ilaçeve pa recetë, ilaçe shtesë apo ilaçe me përbërje natyrale.