fbpx
 Urime për vendimin e ri që keni marrë. Para se të mbeteni shtatzënë, duhet patjetër të informoheni për kontrollin të cilin duhet të kryeni para se të planifikoni shtatzëni. Me siguri ju intereson të dini se çfarë është ovulimi dhe cilat janë shenjat e tij më të zakonshme. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar të merrni të gjitha informacionet e nevojshme. 

Shenjat më të zakonshme të shtatzënisë

Shenjat e shtatzënisë shpesh ngjajnë me shenjat të cilat shfaqen gjatë ciklit menstrual. Këto janë dhjetë shenjat më të zakonshme të cilat tregojnë se trupi juaj po përjeton ndryshime.

  1. Gjinj të fryrë

Zakonisht, gjinjtë e fryrë dhe dhimbja e tyre janë shenjat e para të shtatzënisë. Gjinjtë janë të fryrë dhe dhembin sikurse ndodh edhe para ciklit menstrual, megjithatë, këto shenja mund të jenë më të theksuara. Kjo gjendje mund të zgjasë për disa javë ose gjatë tremujorit të parë të shtatzënisë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Rritja e rrjedhës së gjakut e shkaktuar nga ndryshimet hormonale, i bën gjinjtë tuaj më të ndjeshëm dhe të fryrë.

Përdorni të brendshme të rehatshme.

  1. Errësim i areolës ( pjesës rreth thithës së gjirit)

Errësimi i areolës mund të shfaqet që në javën e parë pas mbetjes shtatzënë. Gjatë shtatzënisë areolat mund edhe të zmadhohen, ndërsa përsa i përket errësimit të tyre, kjo mund të ndryshojë gjatë kohës së shtatzënisë. Zakonisht, pas lindjes, areolat e rikthejnë ngjyrën e tyre normale.

Përse shfaqet kjo simptomë? Rritja e hormoneve gjatë shtatzënisë është shkaku i errësimit të ngjyrës së areolave. Në këtë mënyrë gjinjtë tuaj fillojnë të përgatiten për dhënien e qumështit me gji.

Ndryshimi i ngjyrës së thithës së gjirit, nuk është e pazakontë, prandaj nuk keni arsye përse të shqetësoheni.  Për këtë ndryshim ju mund të bisedoni me doktorin tuaj.

  1. Gjakderdhje e pakët

Shfaqja e gjakderdhjes me ngjyrë të zbehtë (ngjyrë rozë) mund të shfaqet nga 5-10 ditë pas mbetjes shtatzënë.  Kjo është një shenjë e cila tregon se embrioni është implantuar (futur / përfshirë) në mitër.

Përse shfaqet kjo simptomë? Disa ditë pas ngjizjes, veza e pllenuar (fekonduar) kapet në murin e mitrës, duke shkaktuar disa pika gjaku të zbehta. Kjo është një shenjë e mirë, fëmija juaj është implantuar në murin e mitrës, rritet dhe zhvillohet në një vend të sigurt.

Nëse e vëreni këtë simptomë, kontaktoni doktorin tuaj dhe bëni një test shtatzënie. Nëse zgjat më tepër kohë, bëni një kontroll dhe sigurohuni që gjithçka është në rregull.

  1. Urinim i shpeshtë

Kjo simptomë zakonisht shfaqet dy deri në tre javë pas ngjizjes.  Përse shfaqet kjo simptomë? Pas kapjes apo ngjizjes së embrionit në murin e mitrës, krijohet hormoni hCG (human chorionic gonadotropin) i cili është shkaktari kryesor për urinimin tuaj të shpeshtë. Ky hormon lëshon estrogjen dhe progesterone, hormone të cilat e ruajnë shtatzëninë.

Nëse keni problem me urinimin e shpeshtë për disa ditë me rradhë, bëni një test shtatzënie. Ndoshta fëmija është nisur drejtë kësaj rruge. Prania e hCG hormonit i cili gjendet në urinë, është një shenjë e sigurt e shtatzënisë.

  1. Lodhje

Ndjenja e lodhjes dhe e humbjes së energjisë, do t’ju bëjë të mendoni se diçka nuk shkon siç duhet me kondicionin tuaj, por kjo mund të jetë edhe shenjë e shtatzënisë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Humbja e energjisë ndodh për shkak të ndryshimeve hormonale dhe për shkakt të zhvillimit të fëmijës. Trupi juaj punon ‘jashtë orarit’  për të mundësuar çdo gjë të nevojshme për rritjen dhe zhvillimin e fëmijës.

Bëni pushim.  Kjo është ndihma e parë gjatë kësaj gjendje. Ndiqni ndryshimet që ju ndodhin në trup dhe reagoni sipas tyre. Nëse ndiheni të lodhur, bëni pak pushim nga aktivitetet tuaja të përditshme. Pushimet e shkurtra gjatë mbasditeve të cilat nuk i keni praktikuar më parë, janë zgjidhja më e mirë.  Përfshini edhe partnerin tuaj në kryerjen e detyrave tuaja të përditshme duke i ndarë ato së bashku.

  1. Mungesa e ciklit menstrual

Shpesh shenja të tjera të hershme të shtatzënisë i lini mbas dore, deri në mëmentin kur kuptoni se cikli juaj menstrual ka vonuar. Mësoni se kur është moment i duhur për të kryer një test shtatzënie për të marrë një rezultat të saktë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Shfaqja e ciklit mujor, tregon se veza nuk është pllenuar. Nëse  cikli mujor nuk shfaqet , kjo tregon se pllenimi ka ndodhur.

Nëse keni një cikël të rregullt, atëherë ndërprerja e ciklit është shenjë e shtatzënisë.  Bëni një test dhe informoni doktorin tuaj. Nëse nuk keni një cikël të rregullt, atëherë fakti që cikli juaj ka vonuar nuk do të thotë se keni mbetur shtatzënë, por gjithësesi, bëni një kontroll ose konsultohuni me doktorin tuaj.

  1. Të përziera në mëngjes

Shfaqja e të përzierave në mëngjes ose të vjellat, mund të jenë një shenjë e shtatzënisë. Kjo simptomë mund të zgjasë deri në fund të tremujorit të parë të shtatzënisë, megjithatë, tek disa gra kjo mund të ndodhë përgjatë gjithë shtatzënisë. Do të ishte mirë të ishit një nga ato gratë fatlume të cilat e kalojnë të gjithë shtatzëninë pa të përziera dhe pa të vjella.

Përse shfaqet kjo simptomë?  Nuk ka një përgjigje të saktë për këtë pyetje, mendohet se ndryshimet e nivelit të hormoneve janë shkaku i kësaj gjendje (hormonet janë përgjegjësit kryesorë për çdo ndryshim që ndodh në periudhën e shtatzënisë).

Zakonisht kjo simptomë nuk është shumë e theksuar, prandaj ju këshillojmë që të qëndroni të qetë dhe të ndiqni ndryshimet që ndodhin në trupin tuaj.  Si fillim, përpiquni të hani më shpesh dhe në porcione më të vogla gjatë ditës.  Nëse të vjellat janë të shpeshta, humbisni peshë dhe ju bën të ndiheni të dobët, kontaktoni mjekun tuaj.

  1. Jeni të ndjeshëm ndaj aromave

Ndjeshmëria juaj ndaj aromave, mund të bëjë që ushqimi juaj i preferuar të mbajë erë aq të keqe saqë nuk do të donit ta provonit përsëri. Nuk do të thotë se mund të shfaqet në çdo shtatzëni, por tek ato të cilat kanë ndjeshmëri irrituese ndaj aromave do t’ju thonë se e ndjejnë aromën e gatimit të shtëpisë fqinjë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Nuk ka studime shkencore të cilat tregojnë përse ndodh kjo gjë, por shumë gra shtatzëna kanë një ndjenjë të rritur të të ndjerit të aromave.

Nëse vërtetë ju pengon , fillimisht përpiquni t’i shmangni aromat e forta. Nëse e ndjeni aromën e rrobave tuaja, mos përdorni zbutës rrobash gjatë larjes së tyre. Zakonisht, ky impuls është intenziv në fillim të shtatzënisë, prandaj mos u shqetësoni pasi kjo nuk zgjat për shumë kohë.

  1. Fryerje dhe kapsllëk

Në fillim të shtatzënisë shumë gra ndihen të fryera dhe kanë problem me tretjen e ushqimit. Këto simptoma mund të mos jenë të këndshme, por zakonisht largohen pas tremujorit të parë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Rritja e sasisë së estrogjenit dhe progesteronit është shkaku i shfaqjes së këtij problem. Shkakton ngadalësimin e sistemit të tretjes, dhe për këtë arsye shfaqen gazrat dhe kapsllëku.

Ndiqni këshillat tona për të reduktuar fryerjen.

  1. Rritja e dëshirës për disa ushqime të caktuara

Studimet tregojnë se 90% e grave shtatzëna përjetojnë rritje dëshire për disa ushqime të caktuara, veçanërisht në tremujorin e parë.

Përse shfaqet kjo simptomë? Nuk ekziston një përgjigje e saktë, por fajtorin e parë e kërkojmë tek mosbalancimi i hormoneve. Gjithashtu, dëshira e veçantë në lidhje me këto ushqime, tregon se çfarë i mungon trupit tuaj.

Të shijuarit me masë, është mjaft normale, por duhet të bëni kujdes me marrjen e kalorive boshe, veçanërisht nëse ato fillojnë t’i zëvendësojnë vlerat ushqyese të shëndetshme. Ushqimi i shëndetshëm ka një rëndësi të madhe veçanërisht gjatë periudhës së shtatzënisë. Këshilla jonë është që gjithmonë të keni ide për ushqime alternative më të shëndetshme.