fbpx

Kujdesi i nënës pas lindjes

Pas lindjes spontane apo me prerje cezariane kur të ktheheni në shtëpi bëni dush çdo ditë.  Rrjedhja pas lindjes mund të zgjasë 4-6 javë, duke u zvogëluar gradualisht dhe për këtë arsye duhet të kujdeseni për higjenën tuaj. Nëse keni episiotomi, për kujdesin e duhur pas çdo vizite në tualet duhet të përdorni përbërës higjenikë të rekomanduara nga mjeku. Për ta përshpejtuar procesin e  shërimit të plagës duhet të kujdeseni që ajo të jetë gjithmonë e thatë.  Ndërrojeni shpesh fashon e plagës dhe mos përdorni krem apo pudër. Pas 10 ditësh plaga juaj do të shërohet, në qoftë se ndjeni dhimbje, nëse plaga juaj mban erë të pakëndëshme apo keni rrjedhje të plagës, kontaktoni menjëherë gjinekologun tuaj.  

Gjatë javës së parë pas lindjes mund të keni dhimbje në pjesën e fundit të barkut, si pasojë e kontraktimeve normale të mitrës. Me këto kontraktime, mitra rikthehet në gjendjen e saj të mëparshme. Gjatë të ushqyerit me gji, dhimbjet mund të jenë më intenzive. Mitra e nënave të cilat ushqejnë me gji, rikthehet më shpejtë në gjendjen e mëparshme, rrjedhja dhe dhimbjet e tyre zgjasin më pak kohë.

Gjatë ditëve të para pas lindjes është e mirëpritur ndihma e të afërmve tuaj të cilët mund t’ju ndihmojnë në kryerjen e punëve të përditshme. Çdo moment të lirë, përdoreni për të pushuar, gjë që do t’ju ndihmojë për rritjen e sasisë së qumështit të gjirit dhe shërimin tuaj më të shpejtë. Mos harroni të pini 2-3 litra ujë në ditë.

Ditët e para pas lindjes, veçanërisht atëherë kur fillon ardhja e qumështit në gji, tek disa nëna mund të shfaqen ndryshime të gjendjes së tyre shpirtërore, mund të fillojnë të qajnë pa arsye, të ndjejnë trishtim, shqetësim, ankth. Këtë periudhë e cila shfaqet për shkak të kushteve hormonale, do të mund ta kapërceni me mbështetjen e të afërmve tuaj. Kjo quhet gjendje depresive e pas lindjes (baby blue). Nëse kjo gjendje zgjat për një kohë më të gjatë, atëherë duhet të konsultoheni me doktorin tuaj.

Nëse keni nevojë për ndihmë gjatë momentit të dhënies së gjirit, mund të kërkoni këshilla nga infermierja përgjegjëse e fëmijës tuaj, e cila do t’ju ndihmojë në procesin e ushqyerjes me gji.

Edhe pse nuk rekomandohen ilaçe gjatë periudhës së pas lindjes, nëse është e nevojshme, mund të lëshohen nga doktori juaj, dhe duhet të vazhdoni ti pini multivitaminat të cilat i keni pirë edhe gjatë periudhës së shtatzënisë.

Për shkak se gjakderdhja mund të zgjasë deri në 6 javë, për kryerjen e marrëdhënieve seksuale duhet të prisni deri në fund të kësaj periudhe. Gjatë marrëdhënieve të para mund të keni ndjenjën e thatësirës, ulje ose rritje të epshit. Ky ndryshim hormonal me kalimin e kohës do të rikthehet në gjendjen normale të mëparshme.

6 javë (40 ditë) pas lindjes kryeni kontroll tek doktori juaj. Bisedoni me të edhe për mënyrat e mbrojtjes kundër shtatzënisë.