fbpx

Rezonanca magnetike është plotësisht e sigurt në shtatzëni

Në rast se kontrolli ultrasonografik nuk është i mjaftueshëm për të konfirmuar ndryshimin e fetusit, atëherë rekomandohet kryerja e rezonancës magnetike. Kjo metodë diagnostikuese tepër e avancuar mundëson shfaqjen e imazhit në tre dimensione të ndryshme. Deri më sot, në botë nuk është zbuluar asnjë efekt negativ tek fetusi nga filmimi me rezonancë magnetike.

Rezonanca magnetike është metoda diagnostikuese  më bashkëkohore, me anë të së cilës mund të kontrollohen të gjitha pjesët e trupit. Kjo metodë është krejtësisht e sigurtë, dhe  mund të përdoret edhe gjatë shtatzënisë nëse është e nevojshme, për të diagnostikuar çrregullimet e mundshme të zhvillimit të organeve dhe sistemeve të fetusit, para së gjithash për diagnostikimin e çrregullimeve të sistemit nervor., palcës kurrizore, si dhe të organeve të gjoksit (kraharorit) dhe të barkut.

Por përveç fetusit, me anë të këtij kontrolli mund të zbulohen edhe ndryshimet e mundshme të mitrës dhe vezoreve tek nëna e ardhshme, të cilat mund ta komplikojnë shtatzëninë (tumore të sistemit riprodhues, struktura e placentës, etj.).

Kur mund të jetë më e sigurtë kryerja e këtij kontrolli?

Sipas rekomandimeve të Shoqatave Botërore përmbrojtjen e shëndetit të njeriut, kjo procedurë është  më e sigurt që të kryhet pas javës së 15-të të shtatzënisë. Kjo është periudha e duhur për diagnostikimin e anomalive të hershme të zhvillimit, nga ana tjetër të mos shkaktohen efekte të dëmshme tek fetusi, edhe pse deri më tani nuk janëvërtetuar shkencërisht efekte  anësore. Në periudhën kur organogjeneza e fetusit është në progres, nuk rekomandohet kryerja e rezonancës magnetike, me përjashtim të rasteve kur nënë është në rrezik për jetën. Për kryerjen e kësaj procedure nuk rekomandohet përdorimi i lëndës së kontrastit i  cili jepet me anë të venës, pasi kjo lëndë e depërton placentën dhe futet në rrjedhën e gjakut të fetusit.

Përse rezonanca magnetike në vend të kontrollit me ultratingull?

Rezonanca magnetike jep një pamje në tre dimensione të ndryshme dhe në të njejtën kohë mundëson  një diferencim të lartë të indeve dhe organeve, veçanërisht të sistemit nervor qëndror.

Në rast të diagnostikimit të ndryshimit apo të anomalisë tek fetusi, mjeku gjinekolog i cili e ndjek shtatzëninë tuaj, do t’ju këshillojë për rrjedhjen e mëtejshme të shtatzënisë. 

Në rastet e shtatzënisë me më shumë fëmijë (dy ose tre) në të cilën është diagnostikuar anomali, jepen këshilla për selektivitetin e tyre duke përzgjedhur fetusin e shëndetshëm në interes të gruas shtatzënë dhe brezave të ardhshëm.