fbpx

Si ti edukoni siç duhet fëmijët tuaj

 

Mos e fajësoni fëmijën tuaj në çdo veprim, fëmijët janë pasqyra e sjelljes tuaj.  Ndonjëherë arsyet apo shkaqet kërkojini tek vetja. Pyesni veten se çfarë duhet të ndryshoni në sjelljen apo edukimin  tuaj, në mënyrë që ti vini në ndihmë fëmijës tuaj.

 

Edukimin e fëmijës duhet ta ndërtoni bazuar në ngrohtësi dhe mbështetje emocionale. Përveç kësaj, është e nevojshme dhe vendosja e qartë e rregullave dhe kufizimeve.

Gjithmonë lavdërojini dhe shpërblejini fëmijët tuaj, për të zhvilluar tek ta ndjenjën e sigurisë dhe vetëbesimit, si dhe përdorni sa më pak kritika dhe ndëshkime të cilat zgjojnë ndjenjën e pasigurisë dhe ndjenjën e dështimit tek fëmija. Inkurajoni fëmijën tuaj për të arritur sukses dhe gëzohuni bashkë me të, por para së gjithash, duhet të shikoni mundësitë e fëmijës tuaj dhe të jeni realistë me kërkesat tuaja.

Mos e shikoni fëmijën tuaj si një nxënës por si një person dhe mos e përjetoni fëmijën tuaj vetëm nëpërmjet vlerësimeve shkollore apo sukseseve. Inkurajoni fëmijën tuaj dhe nxiteni atë që të socializohet edhe nëpërmjet aktiviteteve jashtë shkollore (sport, art, hobi...).

Me fëmijën mos bisedoni vetëm për rezultatet e tij në shkollë, por tregoni interes edhe për gjëra të tjera të cilat ndodhin në shkollë. Ndihmoni fëmijën tuaj që të përshtatet edhe me nxënësit e tjerë, veçanërisht nëse fëmija është i tërhequr dhe i pasigurt në vetvete. Organizoni së bashku shoqërime me fëmijët e tjerë. Herë pas here bisedoni me fëmijën tuaj (si ndihet,cilët janë miqtë e tij më të mirë). Asnjëherë mos i justifikoni mungesat pa arsye në shkollë, pasi refuzimi i shkollës zakonisht fillon me justifikime të rreme të mungesave nga ana e prindërit.