fbpx

Ruani dhëmbët e qumështit të fëmijëve

Dhëmbët e qumështit të fëmijëve janë po aq të rëndësishme sa ato të përhershmit. Ato ruajnë hapësirën për dhëmbët e përhershëm.  Në rast të humbjes së hershme të dhëmbëve të qumështit si rezultat i kariesit apo i dëmtimit, dhëmbët fqinjë zhvendosen në hapësirën e lirë. Kjo shkakton shtrembërimin e dhëmbëve dhe mbirjen e gabuar të dhëmbëve të përhershëm.

Kur dalin dhëmbët e qumështit?

Dhëmbët e qumështit tek fëmijët dalin ndërmjet muajit të gjashtë dhe të tetë. Në periudhën ndërmjet 2,5 deri në 3 vjeçare fëmijët kanë të formuar tashmë një seri prej 20 dhëmbësh, 10 dhëmbë në nofullën e sipërme dhe 10 dhëmbë në atë të poshtme. Ato luajnë një rol të rëndësishëm në shëndetin oral si dhe në shëndetin e përgjithshëm të fëmijëve  dhe zgjasin deri në moshën 12 vjeçare.  Në moshën 6 vjeçare fëmijëve ju dalin dhëmballat e para. Nga mosha 7-8 vjeçare ju dalin dhëmbët prerës, ndërmjet moshës 9-11 vjeçare ju dalin dhëmbët e qenit, ndërsa në moshën 12 vjeçare  rriten dhëmballat e dyta të mëdha.  Është e mundur që tek disa fëmijë, procesi i ndërrimit të dhëmbëve të ndodh më herët apo më vonë.

A mund të prishen ato?

Dhëmbët e qumështit në krahasim me ato të përhershmit, kanë shtresa të holla të substancave dhe pulpë dentare më voluminoze (vendi ku ndodhet nervi). Prandaj mund të prishen më shpejtë dhe më lehtë. Në fazën fillestare të prishjes së tyre, fëmijët nuk tregojnë asnjë simptomë apo dhimbje. Kur prishja e tyre të ketë përparuar, atëherë fillojnë të bëhen të ndjeshëm ndaj ëmbëlsirave apo të ftohtit. Dhimbja rritet veçanërisht gjatë ngrënies, pasi në vendin ku është prishur dhëmbi futet ushqim i cili shkakton shtypjen e nervit të dhëmbit.

Si ti mbrojmë dhëmbët tek fëmijët?

Të gjithë e dime se sa e vështirë është që fëmijët e vegjël të qëndrojnë ulur në karrigen dentare. Kjo është dhe arsyeja kryesore e prishjes së shpeshtë dhe të shpejtë të dhëmbëve tek fëmijët. Duke marrë parasyshë këto vështirësi, duhet ti kushtoni më tepër vëmendje shëndetit oral dhe daljes së dhëmbëve të parë të qumështit. Kjo është shumë e rëndësishme për parandalimin e e humbjes së parakohëshme të dhëmbëve. Boshllëku i dhëmbit të humbur për shkak të rrëshqitjes, mund të plotësohet me dhëmbin fqinjë, i cili do ta mbyllë atë. Për këtë arsye dhëmbi i ri nuk ka mundësi të dale siç duhet, prandaj rritet përbrenda ose del në vend të gabuar. Në raste të tilla është i nevojshëm trajtimi ortodontik (trajtim me protezë). Nëse për shkak të ndonjë arsye të caktuar, para kohe duhet të hiqet një dhëmb qumështi, në mënyrë që të mos lëvizin dhëmbët fqinjëdhe të mos e zënë vendin e dhëmbit të humbur, stomatologët rekomandojnë ruajtës të fiksuar dhe të lëvizshëm të cilët vendosen në vend të dhëmbit të humbur.

A mund të prishen dhëmbët menjëherë pas daljes së tyre?

Ndonjëherë, pas daljes së dhëmbëve, në to shfaqen njolla ngjyrë kafe dhe pas kësaj ato thyhen dhe bien. Arsyeja kryesore për këtë problem është përdorimi i tepruar i biberonit. E dime se pjesa më e rëndësishme përsa i përket ushqimit të foshnjave është qumështi i nënës, më pas qumështi i lopës, sepse ai në vetvete përmban sheqer natyral. Foshnjat kanë zakon që qumështin ta mbajnë më tepër në gojë. Në këtë mënyrë krijohen baktere të cilat i sulmojnë dhëmbët.

Si ti mbroni dhëmbët e fëmijës tuaj nga prishja e tyre?

Mos lejoni që fëmija juaj të flerë me biberon në gojë. Mos hidhni sheqer, mjaltë, biskota apo ëmbëlsues të tjerë në qumësht. Pas ushqimit jepini ujë fëmijës tuaj ose akoma më mire do të ishte ti mësoni që ti lajnë dhëmbët e tyre. Para se të fillojnë të dalin dhëmbët e parë të foshnjës, pas çdo ushqimi duhet ti fshini mishrat e tyre të dhëmbëve me një garzë të pastër.