fbpx

Gjatë periudhës së shtatzënisë, trupi i çdo gruaje shtatzënë ndryshon, dhe janë të nevojshme të paktën nëntë muaj pas lindjes që trupi i tyre të normalizohet. Por, nëse nuk mund të prisni apo ky proces ecën shumë ngadalë, mund të merrni vendim për kryerjen e korrigjimit estetik, me anë të të cilit do ta riktheni trupin tuaj në formë normale. Kirurgjia plastike është një opsion i cili mund të kryhet vetëm nëse gjendja juaj e përgjithshme shëndetësore është e mirë. Për korrigjimet më të zakonshme estetike, të cilat bëhen pas lindjes, biseduam me Dr. Ilija Mostrov, specialist në kirurgjinë plastike.

Ngritja e gjinjve

Gjatë periudhës së shtatzënisë, gjendrat e qumështit përgatiten për ushqyerjen me gji, duke shkaktuar në këtë mënyrë rritjen dhe ndryshimin e indit dhjamor të gjirit. pas lindjes, gjinjtë zvogëlohen përsa i përket vëllimit dhe si rezultat i këtij ndryshimi shfaqet lëkurë e tepërt. Lëkura e tepërt nuk mund të reduktohet me anë të kryerjes së ushtrimeve, gjinjtë tuaj do të duken të varur dhe të zbrazët. Opsioni i parë i korrigjimit estetik të gjinjve është ngritja e tyre, ndërsa opsioni i dytë kur gjinjtë janë të varur, është mbushja me implant.

Shtrëngimi i barkut

Ndryshimet në pjesën e barkut  janë të pashmangshme pas lindjes. Dobësimi i muskujve, lëkura e tepërt pa elasticitet, shenja nga lindja me operacion cezarian apo hernia në pjesën e murit të barkut janë vetëm disa nga ndryshimet që priten të ndodhin pas kryerjes së aktit  të lindjes. Këto ndryshime i mundojnë tepër gratë dhe bëjnë që ato të mos ndihen mirë. Mungesa e elasticitetit dhe shenjat e strive mund të zhduken prandaj është mirë që të prisni një periudhë kohore para se të vendosni të bëni korrigjim estetik. Kryerja e kirurgjisë estetike rekomandohet pas 9 muajsh apo pas një viti nga momenti i lindjes. Në rast se lëkura nuk tërhiqet dhe është e dëmtuar, nuk prisni ndonjë përmirësim nga kryerja e ushtrimeve (stërvitjet), rekomandohet kryerja e abdomenoplastikës. Me anë të kësaj procedure mënjanohet lëkura e tepërt e cila në shumicën e rasteve është e dëmtuar (nga shfaqja e strive) dhe yndyra e tepërt nën lëkurë. Në rast se është e nevojshme bëhet edhe shtrëngimi i muskujve në bark.

Liposukcioni

Liposukcioni është një metodë e cila zakonisht përdoret në kirurgjinë estetike, dhe është një zgjidhje ideale për reduktimin e dhjamit të tepërt. Shumë gra, pas shtatzënisë nuk mund ta humbasin dhjamin e tepërt i cili është depozituar në pjesën e kofshëve, mollaqeve, në pjesën e sipërme të krahëve dhe përreth belit.

Pigmentimi

Chloasma është një ndryshim pigmentimi në lëkurë, të cilat shfaqen gjatë periudhës së shtatzënisë. Disa studime pohojnë se tek 50% e grave shfaqen pigmentime në pjesën e fytyrës, barkut dhe perineumit. Në rast se këto ndryshime nuk  zhduken pas një periudhe të caktuar pas shtatzënisë, rekomandohet trajtimi me anë të lazerit eCO2.

Shenjat dhe stritë

Shenjat pas operacionit cezarian kanë ngjyrë të kuqe dhe rozë. Me kalimin e kohës ato e humbasin këtë ngjyrë, zbehen dhe bëhen pothuajse të padallueshme.  Edhe ky problem mund të zgjidhet me anë të lazerit eCO2. Stritë të cilat shfaqen gjatë periudhës së shtatzënisë, zakonisht janë të lokalizuara në pjesën e barkut, dhe në pjesën e sipërme të gjurit. Një pjesë e tyre zhduken në mënyrë spontane, por pjesa më e madhe e tyre mbeten si një vulë në trupin tonë. Përsa i përket trajtimit të strive, zakonisht rekomandohet trajtimi me lazer i cili jep rezultate të përkryera. Pigmentimi i tyre zbehet dhe ato bëhen gjithnjë dhe më pak të dukshme.