fbpx

Ekzistojnë deformime të shumta të këmbëve, disa prej tyre janë vetëm estetike dhe të tjera funksionale dhe anatomike, të cilat mund të shkaktojnë një varg problemesh, por sigurisht, problemi më i zakonshëm janë këmbët e sheshta. Me zhvillimin e qytetërimit, një numër gjithnjë dhe më i madh i fëmijëve janë më këmbë të sheshta, dhe shkak për këtë është reduktimi i lëvizjeve.

Kur personi i cili ka këmbë të sheshta, qëndron në këmbë, harku në mesin e këmbës zhduket dhe këmba shtrihet e tëra në dysheme. Në gjuhën mjekësore, këmbët e sheshta i quajmë pedes plani, ndërsa në gjuhën popullore dustaban (në turqisht: dus – e sheshtë, taban – këmbë).

Këmbë të sheshta – deformimi më i zakonshëm

Ekzistojnë tre lloje të këmbëve të sheshta nga të cilat varet dhe mënyra e trajtimit të tyre:

  1. Këmbë të sheshta fleksible ose hipermobile: shumica e fëmijëve kanë këtë lloj. Kjo nuk është një gjendje e dhimbshme, nuk shkakton çrregullime në ecje, prek të dyja këmbët dhe nuk kërkon trajtim.

Ky lloj i këmbëve të sheshta gjendet tek foshnjat dhe fëmijët deri në moshën 9 vjeçare, për shkak të të ashtuquajturit jastëk i yndyrshëm që kanë foshnjat, për shkak të muskujve të butë dhe elasticitetit të madh të strukturave të cilat janë në formim. Tek të rriturit, ky lloj i këmbëve të sheshta shfaqet për shkakt të rënies së tonit të muskulit, rritjes së peshës trupore (një rast i tillë mund të shfaqet edhe tek gratë shtatzëna), dështimit të struktuarave me kalimin e viteve, lëndimit, për shkak të përdorimit të këpucëve të cilat nuk janë adekuate për këmbët tuaja, oes për shkak të disa sëmundjeve të veçanta siç është artriti reumatoid.

  1. Këmbë të sheshta fleksible me shkurtim e thembrës së Akilit - zakonisht prek të dyja këmbët, shkakton dhimbje dhe vështirësi në ecje, diagnostikohet me shumë vështirësi tek fëmijët shumë të vegjël.
  2. Lloji apo tipi i ngurtë i këmbës së sheshtë, është lloji më i rrallë i rasteve dhe gjendet tek personat të cilët kanë problem me strukturën e kockës së këmbës, që ndryshe quhet rritje e brendshme e kockës së këmbës.

 Ky lloj i këmbës së sheshtë gjendet tek 1-2% e njerëzve. Tek këta njerëz ekziston rritje e brendshme e kockave të vogla në këmbë. Ky kusht është i trashëguar, por nuk ndiqet me deformime të tjera.  Një e katërta e këtyre personave kanë dhimbje dhe deformim të këmbës, të cilat shkaktojnë probleme me ecjen dhe kanë nevojë për trajtim, dhe pothuajse gjysma e tyre kanë nevojë vetëm për trajtim jo kirurgjik. Këtë lloj deformiomi 50% e pacientëve e kanë tek të dyja këmbët.

Këmbët e sheshta tek fëmijët -  një nga shkaqet më të zakonshme për kontrollet e shpeshta tek mjeku

Pothuajse të gjitha foshnjat kanë këmbë të sheshta, për shkak të strukturave të buta, të pranisë së jastëkut të yndyrshëm, e cila vizualisht e sheshon harkun e këmbës. Gjatë rritjes (në dekadën e parë të jetës) struktura e këmbëve formohet në mënyrë spontane, nga e cila 20 % e personave të rritur e ruajnë pamjen origjinale të këmbës së sheshtë. 

Simptomat dhe diagnoza e këmbëve të sheshta tek fëmijët

Kur fëmija qëndron në majë të gishtave, ose kur i lë këmbët të qëndrojnë në pozicion të lirë varur në një stol të lartë apo në krevat, shfaqet hark në pjesën e shputës së këmbës, ky është një rast i llojit fleksibël i këmbës së sheshtë, që është krejt ndryshe nga lloji i ngurtë (rigid) i këmbës së sheshtë. Këta fëmijë qëndrojnë me vështirësi në majë të gishtave, dhe mund të kenë dhimbje në disa zona të këmbëve (zona të rënduara: siç është thembra, harku i këmbës) por jo në të gjithë këmbën. Gjatë mbingarkesës këta fëmijë mund të ankohen për ënjtje apo dhimbje në pjesën e nyjeve të këmbëve dhe në pjesën e gjurit. Kur shkalla e këmbës së sheshtë është e theksuar, për të ruajtur ekuilibrin e trupit, nyjet e këmbëve dhe gjunjtë drejtohen përbrenda, gjë që pengon aksin (boshtin) normal të ngarkesës së gjymtyrëve të poshtme.

Tek këta fëmijë duhet të kontrollohet apo shqyrtohet me kujdes këmba dhe nyjet e këmbës si dhe lëvizshmëria e tyre, gjendja e asaj pjese të këmbës e cila ndodhet ndërmjet thembrës dhe nyjës së poshtme të këmbës që ndryshe e quajmë thembra e Akilit dhe e aparatit të ligamentit si dhe gjatësia e gjymtyrëve, lëvizshmëria e nyjeve në pjesën e sipërme të kofshëve (hips) dhe lëvizshmëria e gjunjëve.

Gjatë dhimbjeve të vazhdueshme tek këmbët e këtyre fëmijëve, duhet të bëni radiografi ose tomografi të kompjuterizuar të këmbëve.

Llojet e trajtimit për shërimin e këmbëve të sheshta

  • Nuk është i nevojshëm për fëmijët të cilët kanë deformim fleksibël dhe pa dhimbje;
  • Trajtimi është i nevojshëm për fëmijët me deformim të zhvilluar jo fleksibël dhe dhimbje, si dhe tek fëmijët me këmbë të sheshta fleksible dhe me dhimbje pas aktivitetit fizik të theksuar, dhe sigurisht edhe tek fëmijët me këmbë të sheshta fleksible dhe me shkurtim të thembrës së Akilit.

Trajtimi jo kirurgjik – rekomandohet përdorimi i shollës ortopedike (prej silikoni apo lëkure) të cilat mund ti gjeni në çdo dyqan me pajisje të specializuara ortopedike ose në farmaci me më shumë pajisje. Duhet theksuar se këto sholla për pacientët e rritur me shputa të sheshta të këmbëve nuk i shërojnë, por mund të zvogëlojnë në masë të madhe shqetësimet. Në raste shumë të rralla gjatë trajtimit mund të rekomandohet qetësues, terapi analgjezike ose apo ndonjë formë imobilizimi.

Trajtimi kirurgjik – kryhet tek fëmijët deri në moshën 9 vjeçare dhe mund të jetë një intervenim i kockave apo indeve të buta.

Gabimet më të shpeshta të prindërve

Shfaqja e sheshtë e shputës së këmbës, zakonisht vjen pas ngarkesës të cilën këmba nuk mund ta pranojë, veçanërisht në periudhat kritike të zhvillimit të fëmijës, për shkak të gabimit të prindërve.

  • Gabimi i parë që bëjnë prindërit është se kur fëmija ende nuk është gati për të qëndruar në këmbë, e mësojnë atë që të ecë.
  • Momenti i dytë është gjatë pubertetit, atëherë kur rritja e shpejtë e kockave nuk është e shoqëruar me masën e duhur të muskujve. Në të njejtën kohë ndodhin dhe ndryshime agresive hormonale, prandaj, çdo ngarkesë shtesë (rritja e peshës trupore, apo pesha e çantës me libra) mund të çojnë deri në krijimin e këmbës së sheshtë.

Fëmija zbathur

Gjatë stinës së verës lirojeni fëmijën tuaj nga këpucët, lëreni të ecë zbathur mbi bar dhe mbi rërë. Inkurajojeni atë që të ecë më tepër, sidomos në sipërfaqe jo të rrafshta, të vrapojë, të hidhet, kështu do të forcojnë këmbët dhe muskujt e këmbëve. në këtë mënyrë do të parandaloni zhvillimin shputave të sheshta të këmbëve.