fbpx

Nëse fëmija juaj pas konsumimit të ndonjë ushqimi të caktuar, ka njolla apo skuqje të lëkurës, i shfaqen kruajtje  në pjesën e hundës apo në të gjithë fytyrën, më pas fillon ti zihet fryma dhe ankohet se i mungon ajri, duhet të provoni menjëherë nëse është alergjik ndaj ndonjë ushqimi. Alergjitë ushqimore janë shumë të shpeshta gjatë periudhës së fëmijërisë, mund të shfaqen edhe tek të porsalindurit, madje që në marrjen e qumështit të parë. Vetëm me anë të diagnozës së duhur do të mund të mësoni se ndaj cilit ushqim është alergjik fëmija juaj, dhe ta përjashtoni atë nga lista e ushqimeve.

Kur shfaqen alergjitë e shkaktuara nga ushqimet?

Alergjitë ushqimore mund të shfaqen në çdo periudhë të jetës. Megjithatë, alergjeni më i zakonshëm i ushqimit nga viti i parë deri në vitin e dytë i cili çon në shfaqjen e alergjisë, është qumështi. Pikërisht për kët arsye alergjia e ushqimit shfaqet shumë herët, duke filluar që nha muaji i 3-të i fëmijës, domethënë që nga konsumi për herë të parë i qumështit dhe produkteve të tij. Por ekzistojnë edhe lloje të tjera të ushqimeve të cilat mund të shkaktojnë alergji tek fëmija juaj. Nëse fëmija është alergjik ndaj vezës, atëherë alergjia do të shfaqet kur fëmija të fillojë konsumojë vezë, diku nga muaji i 7-8 i fëmijës tuaj. Alergjia gjithashtu mund të shfaqet edhe nëse fëmija ka një predispozitë gjenetike.

Alergjitë më të shpeshta

Gjithkund nëpër botë, alergjitë dominuese të ushqimit në tre vitet e para të jetës janë: qumështi, veza (veçanërisht e bardha e vezës), kikirikat (të cilat gjenden tek patatinat), më pas peshku, disa loje të frutave si (luleshtrydhja, manaferrat, mjedra...) , por edhe frutat agrume (limoni, portokalli).  Nuk duhet të harrojmë edhe farat e susamit, arrat, lajthitë, të cilat gjendet tek kremërat të cilat nënat shumë herët fillojnë ti fusin në ushqimin e fëmijës.

Si manifestohet alergjia nga ushqimi?

Ekzistojnë dy lloje të manifestimit  të alergjisë nga ushqimi. Zakonisht, në 60-70% të rasteve bëhet fjalë për një reagim të shpejtë alergjik ose reagim alergjik tip 1. Problemi shfaqet menjëherë, në 15 minutat e para, ose pas një ore nga marrja e ushqimit. Simptomat klinike janë mjaft të forta – zakonisht shfaqet skuqje në lëkurë, ndryshime të cilat shfaqen si njolla apo shenja urtikarie, sekrecion i kthjellët nga hunda, ënjtje të buzëve, të veshëve, të kapakëve të syrit, të këmbëve, të duarve. Tek disa fëmijë mund të shfaqet edhe me asfiksion apo me mungesë të ajrit.

Tek reaksioni alergjik tip 2, i cili shfaqet brenda 24 orëve pas marrjes së ushqimit, veçanërisht, 5-8 orët e para, fillimisht shfaqet kruarje e lëkurës, syve dhe hundës. Fëmijët më të rritur mund të ankohen se kanë kruarje edhe në pjesën e fytit. Më pas shfaqen shenja në lëkurë, të cilat janë kokrra të imëta. Një formë tjetër e manifestimit të alergjisë nga ushqimi, është pezmatimi atopik i lëkurës apo i përgjithësuar si ekzemë.  Ky reaksion shfaqet pas 4-5 muajsh të jetës së fëmijës dhe prek pjesë të caktuara të lëkurës së fëmijës. Dominon lëkura e thatë dhe e ashpër, në disa vende ka dhe skuqje të lëkurës dhe kruarje të saj gjatë ditës, si dhe gjatë natës kur fëmija është duke fjetur. Zakonisht këta fëmijë nuk përparojnë përsa i përket peshës trupore, dhe dinë të kenë shkarkime të lëngshme të herë pas hershme. Tek këta fëmijë është e nevojshme të kryhet ekzaminim i statusit alergologjik, dhe të shihet se cili është shkaku i shfaqjes së kësaj ekzeme të përgjithësuar.

A kalojnë alergjitë tek fëmijët?

Rreth 70% e alergjive të shkatuara nga qumështi dhe veza, kalojnë pas moshës tre vjeçare të fëmijës, tek një përqindje e caktuar e fëmijëve kalon pas moshës 6 vjeçare, ndërsa pjesa tjetër do ta kenë atë përgjatë gjithë jetës.

Prick testi alergologjik i lëkurës – standard i artë për diagnozën

Kur të shfaqet simptoma e parë apo e dytë e alergjisë nga ushqimi, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë nga ekspertët dhe ta dërgoni fëmijën në spital. Fillimisht, zgjidhet problemi akut, më pas vjen diagnostikimi dhe kontakti me alergologun i cili do të testojë nga çfarë është alergjik fëmija juaj.  Standardi i artë për gjetjen e diagnozës është  prick testi alergologjik i lëkurës i cili kryhet të paktën një muaj nga sulmi i fundit, pasi është e nevojshme shumë kohë për të zbuluar antitrupat specifik IgE të alergjenit të ushqimit, porsa i përket lëkurës apo nivelit të qarkullimit. Pas zbulimit të alergjisë, duhet rregullisht të konsultoheni me mjekun tuaj pediatër – pulmoalergolog në mënyrë që fëmija të rritet i shëndetshëm dhe të mos arrijë deri në ënjtje të gjuhës ecila mund të çojë në  një gjendje të rrezikshme për jetën.