fbpx

Shtatzënia me operim të qafës së mitrës

Ndryshimet e qafës së mitrës, konfirmohen me kryerjen e biopsisë dhe analizës histologjike. Ekzistojnë ndrshime të kthyeshme (të njohura si CIN1 dhe CIN2) dhe të pakthyeshme (të njohur si CIN3 dhe kancer in situ). Gjithmonë kur kemi konstatim në favor të ndryshimeve të pakthyeshme, duhet të hiqet një pjesë e qafës së mitrës. Një rëndësi të veçantë ka teknika operative e cila do të përdoret. Arritjet bashkëkohore teknike janë elektro- ekscizioni dhe konizacioni me bisturi me ultratingull, ndërsa konizacioni klasik tashmë është një teknikë e braktisur e cila nuk përdoret më.  

A mundet më pas gruaja të mbetet shtatzënë pa problem?

Gjinekologët këshillojnë që për një periudhë të caktuar kohore pas intervenimit të mos planifikohet shtatzëni. Kur të jenë kryer kontrollet postoperative, nuk ka asnjë problem që gruaja të mbetet shtatzënë, sigurisht, nëse intervenimi është kryer në mënyrë korrekte dhe nëse nuk ka ndonjë problem tjetër që mund të shkaktojë infertilitet.

A ekziston rrezik në shtatzëni për gratë shtatzëna të cilat kanë operuar qafën e mitrës?

Gjatë operacionit, gjinekologu duhet të jetë maksimalisht kursimtar, domethënë duhet të mënjanojë sa më pak të jetë e mundur pjesë nga qafa e mitrës. Në këtë rast, nuk ka rritje të rrezikut të shtatzënisë. por, në rast se është mënjanuar një pjesë e mirë e qafës së mitrës, apo pothuajse e gjithë qafa e mitrës, kjo do të thotë se funksioni i qafës së mitrës gjatë shtatzënisë është dëmtuar, duke rezultuar në këtë mënyrë me abort spontan në tremujorin e dytë të shtatzënisë, me shpërthim të parakohshëm të ujrave, dhe me lindje të parakohshme. Apo nëse bëhet fjalë për të gjitha këto komplikime sëbashku, do të shkaktohej humbja e fëmijës , domethënë shtatzëni e pasuksesshme. Përfundime apo rezultate të tilla shkaktojnë ankth dhe zhgënjim  ndërmjet bashkëshortëve.

Serklazh transabdominal

Pacientët të cilët kanë një problem të tillë, ju rekomandohet metoda e re serklazh transabdominal. Intervenimi mund të kryhet ose në mënyrë laparaskopike ose me hapje klasike në bark. Qëllimi i këtij intervenimi është që të vendoset një gjurmë rithithëse në pjesën ku bashkohet qafa e mitrës (e cila mungon) dhe vetë mitra. Në këtë mënyrë krijohet mbështetje e cila parandalon komplikimet, duke siguruar në këtë mënyrë kushte për një shtatzëni të suksesshme me anë të së cilës arrijmë ta mbajmë fëmijën të përgatitur për jetën jashtë mitrës. 

Përse rekomandohet?

Ky intervenim rekomandohet për gratë të cilat kanë mungesë të qafës së mitrës, ose për ato gra të cilat kanë vetëm një pjesë të vogël të qafës së mitrës. Në fakt dallimi kryesor në lidhje me serklazhin vaginal është se nuk ka ind në qafën e mitrës për të vendosur serklazh vaginal, apo mbështetëse në rrugë vaginale. Gratë shtatzëna të cilat kanë një qafë mitre anatomike normale ndiqen dhe kontrollohen gjatë periudhës së shtatzënisë. shtatzënia është një proces dinamik, dhe nëse bie funksioni i qafës së mitrës, domethënë nëse  fillon hapja apo shkurtimi i saj, atëherë duhet të kryhet serklazh në rrugë vaginale.  Serklazhi transabdominal është zgjidhja e vetme për ato gra të cilat nuk kanë mungesë të qafës së mitrës.

Kur rekomandohet?

Përveç grave të cilat kanë të operuar qafën e mitrës, ky lloj intervenimi rekomandohet edhe për gratë të cilat më parë kanë patur shtatzëni të pasuksesshme, edhe pse kanë kryer serklazh vaginal një apo disa herë. Kjo do të thotë se te këto gra ndodh diçka e cila nuk është plotësisht e qartë, por që është e lidhur me cilësinë e indit të qafës së mitrës. Këto janë raste tepër të rralla.

Kur kryhet dhe a përbën rrezik për fetusin?

Kjo ndërhyrje është mirë që të kryhet para se gruaja të mbetet shtatzënë, në rast se gruaja është shtatzënë mund të kryhet gjatë javëve të para të shtatzënisë, por në asnjë mënyrë nuk duhet të kryhet pas javës së 11-të. Rekomandohet laparaskopi e cila ka avantazh për shkak të kohës së shkurtër të shtrimit në spital dhe për shkak të shërimit të shpejtë. Në të shkuarën ka patur shumë komplikime, por sot gjërat janë shumë më të qarta dhe ky intervenim është i sigurt si për gruan ashtu edhe për fetusin.