fbpx

Çfarë duhet të prisni pas lindjes?

Gjatë ditëve të para pas lindjes tek të gjitha gratë shfaqet një lloj gjakderdhje, nuk ka rëndësi nëse lindja eshtë natyrale apo me prerje cezariane. Rrjedhja është e trashë dhe e kuqe, siç ndodh në ditën e parë të ciklit menstrual. Në ditët e ardhshme gjaku ndryshon ngjyrë, fillon të marrë ngjyrë kafe deri në ngjyrë trëndafili.  Pas disa javësh shfaqet rrjedhje e bardhë, e cila zgjat për një muaj e gjysëm.  Nëse gjakderdhja dhe temperatura trupore rritet , apo nëse rrjedhja mbanë erë të pakëndshme, konsultohuni menjëherë me mjekun tuaj.

  • Pacientët të cilët kanë patur lindje natyrale dhe ndihen mirë, disa orë pas lindjes do të mund të ngrihen dhe të lëvizin, por nën shoqërinë e infermieres. Pacientët të cilët kanë patur lindje cezariane, kjo periudhë zgjat më tepër dhe ndryshon në varësi të vendimit të mjekut përgjegjës. Për këta pacientë, gjatë ditëve të para ata kanë nevojë për ndihmë të stafit mjekësor gjatë momentit kur duan të ngrihen dhe të kryejnë nevoja personale.
  • Sepse lëvizja është e rëndësishme për qarkullimin e gjakut, për vënien në punë të zorrëve, prandaj rekomandohet shëtitje nëpër korridoret e spitalit.
  • Tek pacietët me prerje cezariane, vendoset katetër në mënyrë që pacienti të mos ngrihet nga krevati kur ka nevojë të urinoj, dhe kjo katetër hiqet pas 24 orëve, sigurisht nëse gjendja e pacientit e lejon këtë gjë.
  • Të kryerit banjo jep efekte pozitive në qarkullimin e gjakut, dhe në sekretimin (ardhjen) e qumështit, pikërisht për këtë arsye rekomandohet të kryeni banjo më shpesh. Pas lindjes spontane nëna mund të kryej banjo nëse ndihet mirë. Rekomandohet banjo me ujë të vakët, dhe jo më shumë se 10 minuta. Pas kryerjes së banjos, plaga duhet të thahet mirë.
  • Për pacientët me prerje cezariane, pas 24 orësh rekomandohet i njejti proces i larjes me ujë të vakët, gjithashtu nuk duhet të zgjasë më shumë se 10 minuta. Para se të bëni banjë duhet të vendosni një fasho me ngjitës e cila nuk e depërton ujin dhe për këtë duhet të siguroheni mirë.
  • Pas çdo vajtje në tualet, preineumi (zona ndërmjet vaginës dhe anusit) lahet nga ana e përparme drejtë anës së pasme. Ju duhet të kujdeseni që perineumi të jetë i pastër dhe i thatë për të shmangur çdo mundësi të shfaqjes së infeksioneve. Linesat e përdorura duhet të ndërrohen çdo 3-4 orë edhe nëse nuk keni gjakderdhje.
  • Në kushtet e shtëpisë rekomandohet që të përdoret të brendshme pambuku të cilat nuk do t’ju shtrëngojnë dhe sigurisht ato duhet të ndërrohen çdo ditë.  Pacientët me lindje cezariane duhet të kujdesen që plaga të mos ketë kontakt të drejtpërdrejtë me llastikun e të brendshmeve apo me llastikun e pizhamave.