Java e 5.
Në javën e pestë fillon periudha në të cilën truri, shtylla kurrizore, zemra dhe organet e tjera të embrionit fillojnë të formohen. Rrahjet e para të zemrës së embrionit fillojnë pikërisht në këtë javë. Rekomandohet që nënat e ardhshme të marrin acid folik që në fillim të shtatzënisë, do të ishte akoma më mirë që ta marrin atë edhe para shtatzënisë, atëherë kur janë duke u përgatitur për një shtatzëni të ardhshme. Ajo përmban vitaminë B9 e cila nëse përdoret gjatë shtatzënisë ndihmon në zhvillimin dhe mbylljen e duhur të kanalit të shtyllës kurrizore të bebes tuaj, duke parandaluar kështu 50-70% të anomalive në tubin neural.
Ajo çfarë është më e rëndësishme është që të përgatiteni për periudhën në vijim. Shumë nëna të ardhshme e përshkruajnë tremujorin e parë si periudhën më të vështirë të shtatzënisë, por kjo nuk do të thotë se edhe për ju do të jetë e njejta gjë. Ndryshimet të cilat shfaqen gjatë periudhës së shtatzënisë janë individuale dhe manifestohen në mënyra të ndryshme. Për tu përballur me simptomat e para , kryesisht duhet të pushoni, të ushqeheni më shpesh dhe nga pak dhe sigurisht me ushqim të shëndetshëm.
Madhësia e fëmijës tuaj është sa një farë molle
Në javën e pestë fëmija është 1,5 -2,5 mm. Gjatë kësaj periudhe ka një rritje intenzive dhe zhvillim të indeve dhe organeve të embrionit. Zhvillimi është aq i shpejtë sa javën e ardhshme do ta dyfishojë madhësinë.
Simptomat e shtatzënisë në javën e pestë
Në javën e pestë fillojnë të formohen organet kryesore (zemra, stomaku, mëlçia, mushkëria dhe veshkat) si dhe zhvillimi i sistemit të tretjes, sistemi i qarkullimit të gjakut dhe sistemi nervor.
Hormonet e shtatzënisë ngadalë fillojnë dhe i manifestojnë shenjat e para të shtatzënisë
• Dhimbje dhe fryrje të gjinjve
• Të përziera dhe lodhje
• Gjithashtu, është e mundur që të filloni dhe të urinoni më shpesh
Këshillojmë
Zgjidhni gjinekolog – obstetër të cilit i besoni.kontrolli i parë tek gjinekologu është tepër i rëndësishëm. Gjinekologu do të konfirmojë shtatzëninë tuaj si dhe do t’ju bëjë të ditur nëse fëmija është i pozicionuar siç duhet në mitër.
Mos harroni t’i pini vitaminat prenatale (paralindjes).
Para se të përdorni çfarëdo lloj ilaçesh, fillimisht sigurohuni që këto ilaçe të mos jenë të dëmshme për fetusin.
Filloni të mbani ditar të shtatzënisë, në të cilin do të mbani shënim të gjitha simptomat që do t’i përjetoni, zhvillimin e fëmijës që nga fillimi deri në momentin e lindjes. Me siguri do të donit të mbani mend kur e keni ndjerë për herë të parë fëmijën tuaj në bark.