Java e 34.
Lëshojeni dhe këndojeni këngën tuaj të preferuar, në javën e 34 bebja juaj arrin ta njohë zërin tuaj. Disa hulumtime kanë treguar se këngët të cilat fëmija i ka dëgjuar gjatë kohës që ndodhej në bark, arrin ti dallojë edhe në botën e jashtme. Një numër i madh i nënave të ardhshme ndjejnë lehtësim në këtë javë, përsa i përket frymëmarrjes, pasi fëmija në këtë javë zbret në pjesën e poshtme të barkut dhe presioni që ushtronte në mushkëri, zvogëlohet në mënyrë tepër domethënëse. Me zbritjen e fëmijës në pjesën e fundit të barkut apo në pjesën e pelvisit, ushtrohet presion mbi fshikëzën e urinës, duke shkaktuar kështu nevojën për të urinuar më shpesh.
Fëmija juaj ka madhësinë e një kungulli të madh
Gjatësia mesatare e bebes tani është rreth 45 cm, ndërsa pesha mesatare rreth 2.140 gram.
Foshnja në javën e 34
Arrin ta njohë zërin tuaj
Rritet sasia e urinës të cilën e lëshon foshnja
Mushkëritë janë në fazën e fundit të zhvillimit të tyre
Pesha e placentës është 1/6 e peshës së foshnjës.
Simptomat të cilat zakonisht janë të pranishme në këtë javë
Lodhje. Pagjumësia, vështirësitë në frymëmarrje dhe pesha e barkut të gruas shtatzënë, shkaktojnë lodhje.
Probleme me tretjen e ushqimit, kapsllëk, hemoroide. Konsumoni sa më tepër ujë.
Djerësitje të duarve dhe këmbëve.
Urinim të shpeshtë për shkak të presionit të mitrës mbi fshikëzën e urinës.
Këshillojmë
Preeklampsia, është një gjendje e cila shfaqet veçanërisht gjatë shtatzënisë, duke rezultuar me presion të lartë të gjakut, me rritje të pranisë së proteinave në urinë dhe me ënjtje. Shfaqet tek 3-8 % e grave shtatzëna, zakonisht pas javës së 20, por mund të shfaqet edhe gjatë periudhës së lindjes apo disa ditë pas lindjes. Zakonisht shfaqet në një formë të lehtë e cila kërkon ndjekje dhe kontrolle të rregullta të shtatzënisë. në rast se shfaqet në forma më të rënda, mund të shkaktojë edhe lindje të parakohëshme. Është tepër e rëndësishme që gjendje të tilla të trajtohen menjëherë, pasi në të kundërt mund të shkaktojë komplikime serioze për shëndetin e nënës dhe të fetusit.